Me ftesë të kancelares gjermane Angela Merkel dhe të presidentit francez Emanuel Macron presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, më 29 prill 2019, do të takohen në Berlin me liderët e Ballkanit Perëndimor. Në këtë takim, në të cilin do të marrin pjesë edhe kryeministrja serbe Ana Brnabiq dhe presidenti Aleksandar Vuçiq, pritet të diskutohet edhe për dialogun me Serbinë, ndonëse ende nuk është bërë publike agjenda, shkruan Gazeta “Zëri”.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Naser Rugova, në një përgjigje për “Zërin” u shpreh se tema e dialogut Kosovë – Serbi mund të jetë pjesë e Samitit të Berlinit, por kjo nuk mund të ndihmojë në rifillimin e fazës finale të bisedimeve.

Sipas Rugovës, aktualisht në lidhje me këtë proces nuk ka gatishmëri as nga palët e përfshira në dialog, por as nga vetë ndërkombëtarët.

“Në Samitin e Berlinit përfaqësuesit nga Kosova mund t’i takojnë edhe përfaqësuesit serbë, por unë nuk konsideroj se kjo mund të iniciojë rrjedhë normale të rifillimit të dialogut mes Kosovës e Serbisë. Nuk shoh klimë politike dhe gatishmëri të faktorit ndërkombëtar e në veçanti të përfaqësuesve shtetërorë të Kosovës e të Serbisë se do të ketë zhvillim serioz sa i përket dialogut dhe hapa substancialë në këtë drejtim”, është shprehur Rugova.