Rudi Vata: E di që në vendlindje do më shajnë, por djali im nuk do luajë kurrë me Shqipërinë

Djali i Rudi Vatës, Rocco, e ka vendosur të bëjë debutimin e tij ndërkombëtar me Republikën e Irlandës (prej nga i ka rrënjët nëna e tij).

Pra, djali i ish kapitenit të kombëtares kuqezi do të luajë për Irlandën U-15, edhe pse mund të mos jetë zgjedhje përfundimtare.

Këtë gjë e zbulon vetë ish mbrojtësi i Shqipërisë, në një deklarim për “Scottish Sun”.

Ish lojtari i Celtic, që luajti 59 ndeshje me fanellën kuqezi, fitoi Kupën e Skocisë më 1995.

Djali i tij Rocco, 14 vjeç, është në akademinë e Celticut dhe do të bëjë paraqitjet e para me Irlandën U-15. Vata, 50 vjeç, tani agjent dhe ekspert televiziv për futbollin, tha: “Kur u bashkova me Celtic, u njoha me shokët e mi të skuadrës për herë të parë në Dublin.

Debutimi im ndodhi kundër Sligo Rovers, sepse ishim në një turne parasezonal. Kjo është pjesë e historisë sime, kështu që është e veçantë që djali im të jetë tani në Irlandë. Askush në Federatën Shqiptare të Futbollit nuk më kontaktoi për Roco. E di që edhe Skocia e ka vëzhguar, por Federata Irlandeze e Futbollit ishte e para që na kontaktoi.

Gjyshja e tij (nëna e gruas së Vatës) është gruaja më e lumtur irlandeze në Skoci! Njerëzit në Shqipëri e kanë marrë vesh këtë përmes rrjeteve sociale, se Roco ka zgjedhur Irlandën. Besoj se shumë njerëz në vendlindje do të më shajnë. Por, nëse Shqipëria do të kishte qenë mjaft profesionale, të tregonte ndonjë interes dhe t’i bënte si duhet detyrat e shtëpisë, do ta dinte që Rocco po luante me Celtic dhe do të kishte kontaktuar me mua. Fatkeqësisht, FSHF nuk tregoi asnjë lloj respekti, dëshire apo profesionalizmi dhe, nëse nuk e bëjnë këtë, Roco nuk do të luajë kurrë për Shqipërinë”.

Vata, gjithashtu, nuk do të përpiqet të ndikojë në të ardhmen ndërkombëtare të djalit të tij. Rocco do të jetë në gjendje të ndryshojë kombëtaren e tij në çdo pikë të karrierës, me kusht që të mos ketë luajtur një ndeshje zyrtare në nivelin më të lartë me dikë. Po e bëri këtë, pastaj do të mbetet me atë kombëtare përfundimisht. Vata shtoi: “Nuk mund ta diktoj vendimin e tij. Çdo gjë mund të ndodhë në të ardhmen, por Irlanda na ka kontaktuar dhe ka shfaqur interes e respekt. Rocco është i lumtur që është thirrur për ndeshjet e radhës dhe shpresoj t’i shkojë sa më mbarë.