Rryma shtrenjtohet për të dytën herë gjatë mandatit të Albin Kurtit

Qytetarët nga prilli do të paguajnë më shtrenjte rrymën që e shpenzojnë. Kryeministri Kurti tha se nuk do t’i ndërhyjë ZRRE’së në pavarësi kur u pyet nëse do të vazhdojë ta subvencionojë rrymën. Ndonëse vendi ka marrë ndihmë nga BE për t’u përballur me rrymën, çmimi i saj u ngrit për të dytën herë sa Kurti është kryeministër. Përveç rrymës, qytetarët po e paguajnë më shtrenjtë edhe tatimin në pronë dhe gjërat ushqimore.

“Do ta synojmë uljen e energjisë elektrike, sepse është tepër shtrenjtë kur rrimë mbi gjithë këtë energji që kemi. Shumë kemi kapacitet”. Ky ishte ndër premtimet kryesore të kryeministrit Albin Kurti, para se të vinte në krye të Qeverisë së Kosovës.

Kurti është bërë kryeministër para dy vjetësh, por premtimin s’e ka përmbushur. Madje, ka ndodhur e kundërta, rryma është shtrenjtuar. Sot për të dytën herë.

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji ka vendosur që tarifat e energjisë elektrike të shtrenjtohen për rreth 15 për qind.

Si arsye për këtë vendim, është përmendur furnizimi i qëndrueshëm me energji elektrike dhe kostoja e lartë e importit.

Nga ZRRE kanë dhënë detaje edhe se si do të reflektohet kjo rritje në faturat mujore.

“Për konsumatorët që kanë konsum shtëpiak deri 300 kWh, fatura mujore do të ketë rritje prej 2 euro e 88 centë. Për konsumatorët që kanë konsum deri 450 kWh, konsumatorët do të kenë rritje mujore prej 4 euro e 20 centë. Për konsumatorët që kanë konsum deri në 600 kWh, rritja mujore do të jetë deri në 5 euro, ndërsa për konsumatorët që kanë konsum deri në 800 kWh, rritja mujore do të jetë rreth 7 euro e 23 centë”, kanë deklaruar nga ZRRE.

Tarifat do të hyjnë në fuqi nga 1 prilli dhe do të vlejnë deri më 31 mars të vitit 2024.

U shtrenjtua edhe tatimi në pronë

Përveç për energji elektrike, qytetarët do të paguajnë më shtrenjtë edhe për tatimin në pronë.

Sivjet çmimi do të jetë më i lartë, pas rivlerësimit të pronave që është bërë nga ana e Ministrisë së Financave, Punës dhe Trasnfereve. Komunat janë shprehur të pakënaqura me rivlerësimin e bërë nga MFPT’ja dhe kanë kërkuar që ky proces të anulohet e qytetarët të vazhdojnë të paguajnë faturat sikur vjet.

Deri tash, Ministri Hekuran Murati e ka injoruar këtë kërkesë, shkruan Express.

Afati për pagesën e këstit të parë të tatimit vjetor në pronë përfundon në fund të muajit prill. Për këstin e dytë, ka kohë deri në fund të shtatorit.

Sipas Ligjit për Tatimin në Pronë, nëse pagesa për tatimin në pronë nuk bëhet në kohë, aplikohet interes për secilin muaj që vonohet pagesa dhe gjobë prej 10 për qind të tatimit të papaguar.

“1. Interesi aplikohet mbi tatimin e papaguar në një normë e cila është e barabartë me mesataren e normës vjetore të përcaktuar dhe publikuar nga Ministria e Financave, për vitin para vitit tatimor. 2. Interesi llogaritet në baza mujore nga data kur duhet të paguhet tatimi deri në muajin kur paguhet tatimi”, thuhet në Nenin 25 të këtij Ligji.

“Tatimpaguesi i cili nuk e paguan tatimin në pronën e paluajtshme në datën ose para datës së fundit për pagesë i vendoset gjobë në një shumë që është e barabartë me dhjetë përqind (10%) të tatimit të papaguar”, parashihet me Nenin 35 të këtij Ligji.

Paga minimale vazhdon të jetë 130-170 euro

As paga minimale s’është rritur ende, edhe pse Projektligji ka kaluar në lexim të parë.

Ky Projektligj është miratuar në lexim të parë qysh në qershor të vitit të kaluar dhe parasheh rritjen e pagës minimale në 264 euro bruto, apo 250 euro neto, nga 130-170 sa është aktualisht. Prej atëherë, ekzekutivi s’është se ka bërë më diçka në këtë drejtim. Për arsyet e zvarritjes së këtij procesi, zyrtarët e Qeverisë s’kanë dhënë asnjëherë ndonjë arsyetim.

Për të hyrë në fuqi, projektligj duhet të kalojë edhe leximin e dytë dhe të tretë dhe të nënshkruhet nga Presidentja Vjosa Osmani.

Në kontinentin evropian, Kosova e ka pagën më të vogël minimale, ndërsa Luksemburgu i prin listës si shteti me pagën më të madhe minimale. Paga minimale, e një shteti përcaktohet me ligj dhe zbatohet për shumicën e punonjësve të atij shteti.

Kurti “i harroi” edhe Bankën Zhvillimore e Fondin Sovran

Themelimi i Bankës Zhvillimore dhe Fondit Sovran ishin ndër premtimet kryesore me të cilat Albin Kurti i kishte fituar zgjedhjet në vitin 2019.

“Ne nuk bën të mos e kemi një Bankë Zhvillimore”, deklaronte Kurti, në shtator të vitit 2019, kur kërkonte votat e qytetarëve për t’u bërë kryeministër.

Themelimi i kësaj banke është ndër prioritetet e para të renditura edhe në Programin e Qeverisë për vitet 2021-2025.

Aty thuhet se kjo bankë do të financohet nga paratë publike dhe shitja e letrave të borxhit dhe se do të jetë mekanizëm për mbështetjen e sektorit privat dhe promovimin e investimeve.

“Banka Zhvillimore do të jetë mekanizëm për mbështetjen e sektorit privat dhe promovimin e investimeve. Ajo do të jetë komponenti kreditues, që do të financohet nga paratë publike dhe shitja e letrave të borxhit, duke investuar në degë të caktuara të industrisë, që krijojnë vende pune dhe përmirësojnë bilancin tregtar”, thuhet në programin e Qeverisë.

Deri tash, Kurti s’ka bërë ndonjë hap për themelimin e saj dhe e ka përmendur rrallë pas ardhjes në pushtet.

Pak hapa janë bërë edhe për themelimin e Fondit Sovran. Më 26 shkurt të vitit të kaluar është miratuar në parim Koncept Dokumenti për themelimin e këtij Fondi.

Ky Koncept Dokument parasheh hapat që duhet të ndjek Qeveria e Republikës së Kosovës deri në themelimin e Fondit. Aty përcaktohen qëllimet, funksioni dhe mandati i Fondit Sovran, si dhe strategjia për bartjen e aseteve zhvillimore dhe strategjike nga Agjencia Kosovare e Privatizimit në Fond.

Kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar se ky fond parashikon një transformim të thellë dhe strukturor të qeverisjes ekonomike në Kosovë.

“Fondi Sovran do të jetë një mekanizëm i ri dhe efektiv për orientimin e investimeve, përmirësimin e qeverisjes korporative, ngritjen e konkurrueshmërisë dhe cilësisë, rritjen e shkathtësive dhe të punësimit, si dhe eliminimit të keqpërdorimit dhe korrupsionit në sektorin e ndërmarrjeve publike. Fondi Sovran do t’i japë një jetë të re shumë aseteve që qëndrojnë të mbyllura apo nënshfrytëzuara në fondin e AKP-së, përmes riorganizimit, rihabilitimit dhe rivitalizimit të tyre në forma të reja të funksionalizimit komercial dhe financiar”, kishte deklaruar Kurti.

Por, as Fondi Sovran s’është themeluar ende, madje ende s’ka as listë përfundimtare të aseteve që do t’i kalojnë nën menaxhim.

Nga Agjencia Kosovare e Privatizimit i ishin thënë Gazetës Express se është vlerësuar se 94 asete dhe mbi 1 mijë e 500 toka kanë potencial për t’u bartur tek ky Fond, por që listë përfundimtare ende s’ka.

“Deri më tani, pas një analize të hollësishme e konkrete, AKP ka arritur që t’i evidentojë në një regjistër të përbashkët gjithsej 2448 asete. Prej tyre është vlerësuar se 94 asete me vlerë dhe 1549 toka në zona të ndryshme kadastrale me rreth 48 mijë hektarë tokë mund të konsiderohen se kanë potencial për t’u bartur në Fondin Sovran, si miniera, ndërtesa administrative e lokale, fabrika, hotele, ferma, depo të ndryshme, toka bujqësore të të gjitha kategorive etj. Sidoqoftë, AKP dhe Qeveria janë duke i koordinuar veprimet në lidhje me finalizimin e listës së aseteve që mendohet të barten në Fondin Sovran”, kishin deklaruar nga AKP.