Adnan Rrustemi

Rrustemi: VV-ja në zgjedhjet lokale 2025 do të jetë në nivelin e 50 përqindëshit të 14 shkurtit 2021

Deputeti i Vetëvendosjes Adnan Rrustemi ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e ardhshme lokale, që do të mbahen më 2025, do të jetë në të njëjtin nivel të 14 shkurtit 2021, ku fitoi me 50 për qind në zgjedhjet parlamentare.

“Jam i bindur që Vetëvendosje, në raport me zgjedhjet lokale, kurdo që të mbahen, do të jetë në stadin e zhvillimit që ishte më 14 shkurt në zgjedhjet parlamentare. Pra, në 2025, kur do të mbahen zgjedhjet e ardhshme lokale, Lëvizja Vetëvendosje do të jetë në nivelin e 50 përqindëshit që ka qenë më 14 shkurt në 2021”, ka thënë Rrustemi.

Rrustemi tha se për një vit qeverisje, qeveria Kurti ka dhënë një model tjetër dhe qeverisje ndryshe nga të kaluarat.

“Sot bëhet një vit nga dita e zgjedhjeve të kaluara, ku qytetarët i dhanë mbështetje programit elektoral dhe zotimeve të VV-së në bashkëpunim me listën Guxo, për t’i dhënë Kosovës një qeverisje ndryshe me një kulturë krejtësisht tjetër të ndjenjës së përgjegjësisë në raport me institucionet publike, me pasurinë publike, me paranë publike por mbi të gjitha për të shtyrë përpara reforma të rëndësishme në sektorë të rëndësishëm të vendit”, ka shtuar ai.

Ai tha se angazhimi i Qeverisë Kurti ka qenë në të gjitha drejtimet.

“Në njërën anë reforma e fuqishme në sistemin e drejtësisë, pakoja e ligjeve kundër korrupsionit, projektligji për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, rritja më e lartë ekonomike që ka pasur Kosova, rritja e buxhetit më e madhja, mbi 100 milionë euro buxhet për Ministrinë e Mbrojtjes, luftimi i krimit të organizuar., vendosja e ligjshmërisë nëpër institucione të caktuara, përzgjedhja e anëtarëve të bordeve me merita profesionale”, ka vazhduar Rrustemi, duke shtuar se procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të bordit nuk ka qenë asnjëherë më meritor.

Sipas tij, sfida e parë për qeverinë Kurti ka qenë menaxhimi i pandemisë dhe sigurimi i vaksinave.

Ai tha se nuk do të thotë që korrupsioni në Kosovë është zhdukur, por, sipas tij, është eliminuar nga institucionet ku drejton Vetëvendosje në nivel të zyrtarëve publikë.