Rrustemi: Ndryshimi i Kodit të Procedurës Penale i domosdoshëm për nisjen e hetimeve për krimet e luftës

Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, Adnan Rrustimi, ka deklaruar se ndryshimi dhe plotësimi i Kodit të Procedurës Penale është shumë i domosdoshëm për nisjen e proceseve hetuese ndaj krimeve të luftës.

Ai ka deklaruar se me ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale ata i heqin pengesat për gjykimin në mungesë, si dhe ndryshohet kufizimi i bashkëpunimit me mekanizmat ndërkombëtarë.

“Ky ndryshim ligjor është i domosdoshëm, pasi mundëson nisjen e proceseve hetuese. Ky projektligj që po shqyrtojmë sot, ka efekte të rëndësishme në drejtim të adresimit të krimeve të luftës dhe duke ndryshuar kufizimin e bashkëpunimit me secilin mekanizëm ndërkombëtarë. Ne sot i heqim pengesat për gjykimin në mungesë”, ka deklaruar ai.

Rrustimi ka thënë se ky ndryshim nuk duhet të jetë i vetmi për adresimin e krimeve të luftës në Kosovë, derisa ka theksuar se duhet të shtohet edhe numri i prokurorëve, zyrtarëve ligjorë e hetuesve.

“Ky ndryshim nuk mjafton dhe nuk duhet të jetë veprimi i vetëm për adresimin e krimeve në Kosovë. Ky veprim është i domosdoshëm. Shtimi i prokurorëve, hetuesve, zyrtarëve ligjor është po aq i nevojshëm”, ka shtuar ai.