Adnan Rrustemi

Rrustemi i VV-së polemizon me Hazirin e Hysenin e LDK-së, thotë se po i bëjnë dëm Kosovës

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka polemizuar me nënkryetarin e LDK-së, Lutfi Haziri, si dhe ish-koordinatorin nacional të dialogut, Skender Hysenin, për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, duke thënë se deklaratat e tyre po bëjnë dëm, e jo dobi.

Rrustemi këtë e ka thënë me anë të një postimi në ‘Facebook’, teksa ka komentuar shkurt dhe u ka dhënë vlerësime deklaratave të dy anëtarëve të LDK-së.

“Lutfi Haziri qenka mërzitur që aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, e paska irrituar Serbinë. Ndërsa Skender Hyseni paska analizuar kinse pasojat e mosanëtarësimit, duke manifestu më shumë dëshirën e tij”, deklaroi ish-përfaqësuesi i VV-së në KQZ.

“Nëse nuk mund të ndihmoni, bëjuni të dobishëm së paku duke mos bërë dëmë”, përfundoi ai.

Hyseni dje deklaroi se aplikimi i Kosovës në KE është një lajm i mirë, por shtoi se pala kosovare duhet të jetë e kujdesshme në lobimin tek shtetet vendimtare për këtë çështje.

“Lajmi është i mirë e sidomos nëse është bërë lobimi i duhur, nëse jo, atëherë do të jetë gaf i rëndë dyfish më i madh, sepse humbet mundësinë në aplikim për një kohë të gjatë, sikurse na ka ndodhur ne UNESCO e INTERPOL”, deklaroi ai.

Në anën tjetër, nënkryetari i LDK-së deklaroi se mungesa e një agjende dhe iniciativa e Kosovës për të aplikuar në Këshillin e Europës, ka bërë që kjo marrëveshje të mos arrihet.

“Pra, pa agjendë të zbardhur për publikun e Kosovës, dhe iniciativa e Kosovës për të aplikuar në Këshillit e Evropës, natyrshëm që e ka ‘abortu’ mundësinë e arritjes dhe implementimit të marrëveshjes për targat”, deklaroi Haziri.

Kosova aplikoi dje për anëtarësim në KE.