Rrusta, Vitisë: Duhet llogari për jetën e humbur të secilit që sot do të infektohet, dorëheqja nuk mjafton

Zyrtarja e PSD-së, Teutë Rrusta ka reaguar pas tollovisë së krijuar te salla ‘1 Tetori’ në Prishtinë për vaksinim të personave mbi 65 vjeç.

Rrusta përmes një postimi në Facebook ka thënë se kjo Qeveri është shumë e dëmshme.

Madje ajo tha se është tipike që Qeveria Kurti të mos e kërkojë fajtorin tek vetja, por tek kundërshtarët politik ose tek qytetarët e painformuar, që sipas saj, ata nuk kryejnë asnjë punë siç kërkohet e siç pritet.

“As të majtë, as efikas, madje as interesant. Qeveri e dëmshme, shumë e dëmshme.  Qytetarë në nevojë, të varfëruar dhe të lënduar nga vite keqzhvillmi, me mungesa elementare për jetë, realizim kolektiv e vetanak, sot gjenden para “Portës së Lartë” duke shtrydhur edhe pikën e fundit të besimit që ju ka mbetur në qeverisje”, shkroi Rrusta.

Ajo po ashtu tha se dorëheqja e Arben Vitisë nuk mjafton, dhe sipas saj, secilës masë ndaj COVID-19 i ka humbuk ndikimi dhe më nuk kanë asnjë kuptim.

“Secilës masë i ka humbur ndikimi dhe asnjë masë më nuk ka kuptim. Nëse dikush duhet të ndëshkohet nga ky proces, nuk janë qytetarët por ai është Arben Vitia. Duhet llogari dhe përgjegjësi për jetën e humbur të secilit që sot do të infektohet. Dorëheqja nuk mjafton”, ka shkruar Rrusta.