Anëtari i kryesisë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Berat Rukiqi përmes një postimi në facebook, është shprehur se qeveria aktuale ka dështuar në luftën kundër korrupsionit.

Ai ka thënë se qeveria erdhi në pushtet nën parullen “me duar të pastra” e po del e zhytur në korrupsion.

“Ne fakt, qeveria që erdhi me parullen e qeverisjes, “me duar të pastra,” po del të jetë zhytur në korrupsion, me përfshirjen direkte të instancave më të larta, në formë të strukturave parapolitike me elemente kriminale, në aferat korruptive të mafisë së energjetikës në krye me Martin Berishajn dhe Nagip Krasniqi, të qindra tenderëve sekret, falje të borxheve milionëshe. Dëshmitë tregojnë qartë, kjo qeveri ka mbrojtur të korruptuarit, ka mbrojtur komunikimin me terroristët, edhe kur faktet, komunikimet dhe akuzat ishin të bazuara dhe të qarta”, ka shkruar Rrukiqi.

Ai ka shtuar se LDK mbështet hetimet e organeve të drejtësisë.

“Ne në LDK mbështesim hetimet e organeve të drejtësisë dhe angazhohemi që të gjithë ata të përfshirë në korrupsion të përballen me drejtësinë. LDK do të vazhdojë të qëndrojë e zëshme kundër çdo forme korrupsioni, duke mbrojtur interesat e qytetarëve dhe të ardhmen e Kosovës, ashtu si jemi angazhuar deri sot”, ka shkruar ai.