Glauk Konjufca është zgjedhur për herë të dytë në krye të Kuvendit të Kosovës me 69 vota pro, 33 vota kundër dhe asnjë abstenim.

Rrugët e shkurtra po pastrohen nga fqinjët e tij.

Por për rrugët e tij të gjata drejt karrierës politike u kujdes personalisht.

Glauk Konjufcën mëngjesi i kësaj të hëne e gjeti pak më ndryshe se ditëve tjera.

Reshjet e borës ndoshta e befasuan kur u zgjua nga gjumi, e i dhanë pamje ndryshe lagjes ku jeton, por për Konjufcën nuk pritet të ketë befasi edhe në Kuvendin e Kosovës.

Në këtë institucion, 39 vjecari i lindur në Prishtinë, është nominuar nga partia e tij që ta udhëheqë për herë të dytë Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Por, edhe pse po pritet ta udhëheqë një nga pozitat më të rëndësishme të vendit, Konjufca në rrugën e tij drejt kuvendit, për T7 u shpreh që nuk ndihet i emocionuar.

Ndërkohë, në ditën që u mbajtën zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, mbizotëronte një mot i ftohtë e me borë në vend.

E në atë ditë, LVV-ja shënoi fitore bindëse duke fituar 50% të votave, e siç duket në ditët e rëndësishme për VV-në, korrospodon ky mot.

Por, nënkryetari i Vetëvendosjes nuk i cilëson si të këqija ditët me borë.

Pas kësaj deklarate, ish-ministri i Punëve të Jashtme, mori rrugë për në Kuvendin e Kosovës.

Aty veçse kishin filluar që të mblidhenin kolegët e tij, nga të cilët edhe pret që ta votojnë si kryetar i Kuvendit.

Ndërsa, vota nuk pret nga deputetët e opozitës, ani pse disa nga ta i përshëndeti nga afër.

Pasi që i gjithë fokusi i kësaj seance ishte te Konjufca, këtij iu dhurua edhe një flamur kombëtar, simbol këtë që e kishte përdorur shumë në të kaluarën.

E momenti për t’i përfaqësuar simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës erdhi.

Me 69 vota pro, 33 kundër dhe asnjë abstenim, Glauk Konjuca u zgjodh kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës.

Ndërsa, edhe pse kishte 6 vota më pak se vitin e kaluar, Konjufca shpreson që të ketë më shumë ditë për të punuar me opozitë e pozitë në krye të Kuvendit.

E pas mbylljes së seancës për konstituimin e Kuvendit, Konjufca mori përsëri rrugë për në zyrën e tij të re.

Aty iu dorëzua detyra nga ish-kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ndërsa që nga ky moment, Glauk Konjufca do të jetë edhe u.d i presidentit të Kosovës.

E puna e parë në këtë pozitë ishte kërkesa drejtuar liderit të VV-së, Albin Kurtit për ta propozuar mandatarin për Kryeministër.