Vetëm një orë larg qendrës së Prishtinës është vendi ku krijohen 12 ujëvara dhe 16 liqene.

Është kjo Ujëvarat e Mirushës, një nga atraksionet më të bukura në Kosovë, dhe vend i cili vizitohet mjaft shumë sidomos tani në sezonin veror. Vizitorë të shumtë dhe jo vetëm nga Kosova, por edhe nga vendet tjera e vizitojnë këtë ujëvarë.

Mirëpo, ajo për të cilën ankohen këta vizitorë është rruga që të shpie tek kjo ujëvarë, pasi që sipas tyre nuk është e rregulluar. Ata thonë se është mjaft e mundimshme kjo rrugë pasi që krijon vështirësi në qarkullim, deri sa të arrijnë tek ujëvara.

Në një përgjigje për Telegrafin, zëdhënësja e komunës së Klinës, Vlora Tafili, ka thënë se këtë vit janë ndarë mjetet për fillimin e punimeve në rrugën tek parku Ujëvara e Mirushës.

“Duke e ditur rëndësinë e veçantë natyrore dhe turistike, dhe në bazë të kërkesave të qytetarëve, tek parku Ujëvara e Mirushës, këtë vit janë ndarë mjetet. Pra për fillimin e projektit për rregullimin e infrastrukturës, janë ndarë rreth 250 mijë euro, investim ky nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor”, ka thënë ajo.

Sipas saj projekti është përgatitur nga Komuna e Klinës.

“Komuna e Klinës ka hartuar projektin i cili përfshin rregullimin e rrugës, shtigjet e ecjes etj. Tani procedura e tenderimit udhëhiqet nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor”, ka theksuar ajo.

Ndërsa Ujëvarat e Mirushës janë pjesë e një parku me rëndësi të veçantë natyrore, shkencore, kulturore dhe turistike. Kjo zonë i përket kategorisë “Peizazh i mbrojtur”, kurse rrjedha e lumit Mirusha i përket kategorisë “Monument natyror”.