Rruga e Vjosa Osmanit nga kundërshtimet në LDK dhe ndaj Thaçit, e deri te synimi i Presidencës

Vjosa Osmanin e ka rritur politikisht kundërshtimi brenda dhe jashtë LDK-së në mbrojtje të qëndrimeve të saj.

Sa ishte pjesë e kësaj partie, Osmani disa herë i doli kundër kryetarit të atëhershëm, Isa Mustafa.

Më 8 dhjetor të vitit 2014, kur Mustafa ishte bërë kryeministër, ajo votoi kundër. Kjo pasi nuk pranonte që LDK-ja e PDK-ja të ishin në të njëjtën qeveri.

Osmani nuk e ka votuar as Hashim Thaçin për president të Kosovës, ani pse partia e saj u dakordua me kryetarin e atëhershëm të PDK-së. Madje Thaçin ajo e konsideronte figurë përçarëse.

Një vit më vonë, Osmani u ndëshkua nga kryetari i LDK-së, duke ia pamundësuar asaj që të zgjidhej në krye të partisë.

Por marrëdhëniet me kreun e partisë, Isa Mustafa, ndonëse me ritëm të ngadaltë, u përmirësuan ndër vite.

4 vjet më vonë, nga koha kur Isa Mustafa e pengoi të vinte në krye të LDK-së, Osmanit iu besua një detyrë e re. Ajo e kandidates për kryeministre nga radhët e LDK-së, duke e vënë kështu në garë të drejtpërdrejtë me kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Ky subjekt politik pas një kohe shumë të gjatë mori besimin e 206 mijë e 500 qytetarëve, derisa vetë Osmani mori mbi 176 mijë vota. E renditur shumë afër pas Albin Kurtit, Osmani la pas të gjithë ata që kandiduan në zgjedhjet e 6 tetorit 2019.

Por nga skena e protagonistes, Osmanin e larguan shumë shpejt. Në krye të negociatave për koalicion me Vetëvendosjen u renditën sërish burrat e LDK-së.

Gjatë rrugës së arritjes së marrëveshjes mes dy partive që fituan më së shumti vota në zgjedhjet e 2019-s, emri i Vjosa Osmanit u përmend si opsion për disa poste. Ai i zv. kryeministres së parë e i ministres së Punëve të Jashtme.

Por, nënkryetares së LDK-së iu besua karrigia e së parës së Kuvendit.

E kryeparlamentarja, e para grua në këtë post, nuk hezitoi t’ua tregojë vendin kolegëve të saj në Kuvend.

Të fuqishme ishin edhe fjalimet e saj në foltoren e Parlamentit. Nga aty, nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani, edhe një herë po i kundërshtonte iniciativat e partisë nga e cila vinte.

Përplasjet kulmuan në qershorin e kaluar, kur Osmani u shkarkua pozita e nënkryetare së LDK-së dhe ajo e anëtares së kryesisë së partisë. Disa muaj pas Osmani tha se LDK-ja ia ka mbyllur derën, duke mohuar kështu mundësinë e rikthimit në parti.

Më 5 nëntor të vitit të kaluar Osmani u bë ushtruese e detyrës së presidentes, pasi Hashim Thaçi dha dorëheqje nga kjo pozitë për t’u përballur me akuzat nga Gjykata Speciale.

Në fillim të këtij viti Osmani themeloi iniciativën e saj politike, duke mbledhur rreth vetes disa nga bashkëpunëtorët e saj më të afërt brenda LDK-së.

Për zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit, Osmani i bashkoi forcat me Albin Kurtin, kundërshtarin e saj për kryeministër në zgjedhjet paraprake.

Ajo u bë pjesë e listës së kandidatëve të Vetëvendosjes për deputetë dhe garoi si kandidate për presidente.

Ky bashkëpunim doli të jetë produktiv për Osmanin, e cila mori plot 300 mijë vota, duke u bërë kështu politikania më e votuar pas shpalljes së pavarësisë.

Kurti e Osmani fituan bindshëm zgjedhjet.