Rron Gjinovci: Serbia ndërhyri në zgjedhjet e Kosovës

Aktivisti Rron Gjinovci thotë se ndoshta është koha për të diskutuar për ndërhyrjen e Serbisë në zgjedhjet e Kosovës të mbajtura me 14 shkurt.

Rron Gjinovci mbrëmë në emisionin “Pressing” ka bërë thirrje që të hetohet ndërhyrja e Serbisë në zgjedhje, përmes Listës Srpska, te vendet e rezervuara për minoritetet joserbe. Për të njëjtën temë ka shkruar edhe sot.

 “Ndoshta, thjesht ndoshta, është koha që të flasim për manipulimin e zgjedhjeve dhe ndërhyrjen e Serbisë në zgjedhjet e Kosovës”, ka shkruar Gjinovci, duke theksuar fjalën “QUINT” në postimin e tij.

Gjinovci u ka kërkuar ndërkombëtarëve në Kosovë të ngrisin zërin për shkelje të të drejtave të pakicave të tjera, meqenëse vendet e rezervuara për ta në Kuvendin e Kosovës po merren me manipulime të Listës Srspka.

Është raportuar dhe denoncuar vazhdimisht se Lista Srpska ka ndikuar në zgjedhjen e dy apo tre deputetëve nga minoritetet joserbe, në mënyrë që të ketë ndikim në më shumë se 10 vendet që janë të rezervuara për serbët në Kuvend, e të cilat i fiton vazhdimisht Lista Srpska.

Iniciativa e të deklaruarës boshnjake, Adriana Hoxhiq, ka marrë vota edhe në komunat ku s’ka asnjë boshnjak, duke dalë e para nga partitë e boshnjakëve në Kosovë. Kandidatët e subjekteve tjera politike kanë reaguar duke thënë se Lista Srpska i ndihmoi Hoxhiqit sepse kishin marrëveshje.

Bashkë me Hoxhiqin thuhet se Lista Srpska është siguruar që të zgjidhen deputet edhe një kandidat rom nga Gracanica dhe ish-deputeti goran, Adem Hodza.

Me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, pakicave kombëtare u takojnë njëzet mandate në Kuvend. Dhjetë prej tyre janë për serbët në Kosovë, ndërsa dhjetë për minoritetet e tjera joserbe.