Rrjeti i organizatave të kulturës në Pejë përmes një komunikate ka reaguar në lidhje me prerjen e drunjve në qytetin e Pejës.

“Rrjeti i Organizatave të Kulturës reagon ndaj prerjeve të drunjëve në qendër të qytetit të Pejës dhe kërkon nga Komuna e Pejës që të shpalos publikisht planin për rindërtimin e sheshit”, thuhet në reagimin e RrOK Pejë, përcjell Ballkani.info.

Reagimi i rrjetit të organizatave në Pejë:

Nga: Rrjeti i Organizatave të Kulturës Pejë – RrOK

Për: Komunën e Pejës

Reagim për prerjen e drunjëve në qendër të qytetit dhe e planit punues për rindërtimin e sheshit në qendrën e qytetit (20-06-2019)

Rrjeti i Organizatave të Kulturës reagon ndaj prerjeve të drunjëve në qendër të qytetit të Pejës dhe kërkon nga Komuna e Pejës që të shpalos publikisht planin për rindërtimin e sheshit.

Është bërë praktik në qytetin tonë që të prehen pemët shumë-vjecare për ndërtimin e shesheve, rrugëve, shtatoreve dhe objekteve tjera për ndërtimin e të cilave mungon diskutimi publik.

RrOK të Pejës ka bërë rekomandim para dy viteve me datën 23.06.2017 kur janë shpërfaqur disa hapësira me kalldrëm që sheshi i qytetit të shtrohet prapë me kalldrëm. Është mirëpritur lajmi kur Komuna ka vendosur që ta shtroj qytetin me kalldrëm. Mirëpo, organizatat anëtare të Rrjetit shprehin shqetësimin në lidhje me mënyrën sesi po ndërtohet sheshi aktualisht. Disa prej parregullësive që janë vërejtë dhe duhet adresuar janë:

1. Mungesa e diskutimit publik për përcaktimin projektit e cila le për të dëshiruar sa i përket transparencës dhe llogaridhënies;
2. Mos publikimi i projektit fitues për ndërtimin e sheshit me kalldrëm në qendër të qytetit;
3. Prerja e drunjëve shumë-vjecar në qendër të qytetit;

Rikujtojmë akterët implementues dhe projektues se pjesëmarrja qytetare në vendimarrje në hapësirat publike është kusht për demokratizimin e shoqërisë sonë, prandaj, rekomandojmë Komunën e Pejës që të përfshijë qytetarët në vendimarrje në ndërtimin e shesheve, rrugëve, shtatoreve dhe objekteve tjera në qendrën e qytetit./Ballkani.info/