Dhuna

Rrjeti i Grave kërkon zbardhjen e rastit të 13-vjeçarës që dyshohet se është dhunuar

Rrjeti i Grave të Kosovës (RRGK) ka kërkuar reagim institucional dhe shoqëror lidhur me rastin e 13-vjeçares nga Peja e cila u raportua e zhdukur, e për të cilën dyshohet se u abuzua seksualisht nga dy persona të moshës madhore.

RRGK-ja ka kërkuar nga institucionet, posaçërisht nga Prokuroria e Pejës që të bëhet një hetim serioz i veprës dhe të përpilohet aktakuza në mënyrë që dhunuesit të marrin dënimin e merituar.

“Përdhunimi i vajzave dhe grave në shoqërinë tonë mbetet ndër brengat kryesore, për të cilën duhet të ngremë zërin të gjithë ne, vazhdimisht dhe pa asnjë kompromis. Kurse, reagimi i duhur institucional ndaj këtyre rasteve ndikon në luftimin e tyre dhe krijimin e një shoqërie ku vajzat dhe gratë gëzojnë një jetë të barabartë dhe pa dhunë me bazë gjinore”, thuhet në reagim.

RRGK-ja do të monitorojë reagimin institucional ndaj këtij rasti dhe ndaj të gjitha rasteve të dhunës me bazë gjinore.

13-vjeçare të dielën ishte raportuar e zhdukur në stacionin policor në Malishevë.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, të hënën i ka thënë KOHËS se të dielën viktima është raportuar si e zhdukur dhe se rasti është duke u hetuar.

“Më datën 10 mars, viktima (fëmijë), është raportuar si person i zhdukur në stacionin policor në Malishevë. Policia ka identifikuar lokacionin ku gjendet, ku dyshohet se është dhunuar viktima, janë arrestuar të dyshuarit janë intervistuar dhe pas intervistimit me urdhër të janë ndaluar për 48 orë, rasti është duke u hetuar”, ka thënë Gashi.