Rrjeti i Grave kërkon dënim të përjetshëm për Pjetër Nrecajn

Sipas RrGK-së personi që shkakton vrasjen e anëtarit të familjes apo të fëmiut, dënohet me burgim të përjetshëm Rrjeti i Grave të Kosovës ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës Themelore të Gjakovës për dënimin me 24 vjet burgim, Pjetër Nrecajt për vrasjen e bashkëshortes dhe të bijës.

Sipas RrGK-së, Kodi Penal i Kosovës, përkatësisht neni 179 e përcakton që personi që shkakton vrasjen e anëtarit të familjes apo të fëmiut, dënohet me burgim të përjetshëm.

“Në kohën kur shoqëria po alarmohet nga rritja e rasteve të dhunës ndaj vajzave dhe grave dhe kur të vetmen shpresë e kemi drejtësinë dhe përgjegjësinë e organeve të rendit dhe sigurisë, RrGK shprehet e shqetësuar nga lajmi për dënimin e ulët, prej 24 vjet heqje lirie, që iu shqiptua Pjetër Ndrecajt për vrasjen e ish bashkëshortes dhe vajzës, shto këtu edhe armëmbajtje pa leje.Neni 179 i Kodit Penal të Repubikës së Kosovës, qartazi e ka të caktuar dënimin për Vrasjen e Rëndë, ku thuhet se personi që shkakton vrasjen e anëtarit të familjes apo të fëmiut, dënohet me burgim të përjetshëm”, thuhet në reagimin e RrGK-së.

Rrjeti i Grave të Kosovës ka kujtuar ngjarjen dhe veprat e vrasesit.

“Ju rikujtojmë se vrasja kishte ndodhur në Berkoc të Gjakovës, ku vrasësi pasi që fillimisht kishte kërcënuar përmes telefonit viktimën grua të moshës 40 vjeçare, kishte shkuar në shtëpinë e saj dhe aty e kishte vrarë atë dhe vajzën e saj 9 vjeçare. Vrasësi kohë më parë ishte mbajtur në paraburgim (maj 2018) për ushtrim të dhunës në familje ndaj të ndjerës, për veprën penale “Lëndim i Lehtë Trupor”.

Policia e Kosovës ka qenë në dijeni për historikun e tij prej krimineli, përderisa gjykata e kishte liruar pas një muaji mbajtje paraburgim. Në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, dënimi minimal për këtë vepër penale është 3 muaj deri në 5 vjet burgim”, thuhet tutje në reagim. Sipas RrGK-së dënimi i Nrecajt është minimal.

“Lirimi i tij qysh atëherë, ka dërguar në vrasjen e gruas dhe të vajzës. RrGK beson, që në rast se i njëjti do të ishte dënuar paraprakisht, sot nuk do të shkruanim këtë reagim dhe një grua e një fëmijë do të ishin në jetë. Në ditën e vrasjes, e ndjera kishte paralajmëruar policinë për kërcënimet që i kishte pranuar nga tashmë vrasësi i saj, por siç u raportua në media, policia kishte dështuar ta kontaktoj atë. Institucionet e drejtësisë gjithmonë deklarohen se duhet të ketë zero tolerancë ndaj dhunës në familje, por dënimet e tilla minimale nuk po përçojnë të njëjtin mesazh. Fatkeqësisht ato po japin mesazhin e gabuar se krimet e tilla makabre nuk do të marrin dënimin e merituar”, thuhet në reagimin e RrGK-së.