Rritja e rasteve me variantin Delta, partitë politike me tubime nëpër komuna pa maska e pa distancë

Situata me pandeminë COVID-19 në Kosovë vazhdon të jetë e rënduar. Vetëm gjatë të dielës nga ky virus humbën jetën 36 qytetarë.

E pavarësisht gjendjes, disa nga partitë të cilat vazhdimisht janë duke kritikuar menaxhimin e pandemisë dhe po bëjnë thirrje për respektim të masave, një gjë të tillë nuk e po e bëjnë vet duke mbledhur numër të madh të simpatizantëve të tyre në fushatë për zgjedhjet lokale 2021.

Ishte kryetari i degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku i cili mbrëmë mblodhi qindra simpatizantë të kësaj partie në një tubim parazgjedhor në Vitak.

Në bazë të fotografive të publikuara në Facebook nga Lushtaku vërehet se aty ka dhjetëra persona dhe se nuk ka distancë sipas masave të Qeverisë.

“Në Vitak takuam shumë mbështetës të Partisë Demokratike të Kosovës. Bashkëbiseduam lidhur me platformën e PDK-së për zhvillimin e Skenderajt”, ka shkruar Lushtaku në Facebook.

Ngjashëm ka vepruar edhe kanidiati i LVV-së në Mitrovicë, njëherit edhe kryetari akutal, Agim Bahtiri në një takim që mbajti takim me deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ministrin e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci dhe ish kandidatin për deputet Edmond Pruthi, nuk respektuan distancën e as nuk kishin maska.

Masat nuk po i respektojnë as disa nga kandidatët e LDK-së, për kryetar komunash, ani pse niveli qendror i kësaj partie është mjaft i zëshëm duke kritikuar menaxhimin e pandemisë.

Kandidati për kryetar të Prizrenit, Anton Quni në një takim që ka zhvilluar me kandidatët për asamble nga kjo parti, në momentin kur kanë realizuar fotografinë e përbashkët nuk kanë respektuar distancën, e gjithashtu asnjëri nga ta nuk ka të vendosur maskë.

Edhe kandidati i AAK-së për kryetar të Podujevës, Besnik Tahiri në një takim që ka zhvilluar në Podujevë nuk ka respektuar masat. Në fotografitë që ka publikuar vetë ai shihet se janë në ambient të brendshëm dhe se askush nga të pranishmit nuk bartë maskë dhe nuk është as distanca prej 1.5 metra.