Rritja e rasteve me koronavirus në Kosovë, pritet ashpërsimi i këtyre masave

Ditëve të fundit është vërejtur një rritje e theksuar e rasteve të reja me koronavirus në Kosovë, krahasuar me javët e kaluara. Për këtë, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka paralajmëruar shtim të masave, ku tha se do të ashpërsohen inspektimet nga policia.

Nga 685 mostra të testuara gjatë ditës së djeshmenë IKSHPK dhe laboratoret private, gjithsej 98 kanë rezultuar pozitive.

Kjo shënon një rritje mjaft të lartë krahasuar me ditët e kaluara, ku kishte më pak raste pozitive.

E lidhur me këtë ka reaguar ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, i cili përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook tha se masat duhet të respektohen dhe se inspektimet nga policia dhe inspektoratet do të rriten këto ditë, shkruan Gazeta Metro.

“Inspektimet do të vazhdojnë me ritëm të shtuar, gjobat të shqiptohen sipas Ligjit për luftimin e pandemisë Covid-19 dhe nuk do të lejohet asnjë lloj shkarje prej ligjit, i cili duhet të zbatohet me përpikëri. Nga nesër do të jenë në teren edhe 75 inspektorë sanitar, ndërsa nga Policia e Kosovës do të kërkojmë kthim të orarit të punës nga 12 orë në ditë . Tash, kur gastronomia mund të punojë edhe brenda hapësirave të lokaleve të veta, distanca në mes të tavolinave, higjiena dhe mbajtja e maskave si nga personeli po ashtu edhe nga mysafirët janë të domosdoshme. Aty ku ka neglizhencë, aty ku vazhdohet me dasma dhe tubime të tjera familjare, aty do të ketë mbyllje, pa paralajmërim, në të kundërtën masat e reja do të jenë të domosdoshme.”, ka shkruar ndër të tjera Zemaj.

Njëjtë si Zemaj, edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se varësisht situatës epidemiologjike në Kosovë mund të ketë shtrëngim të masave anti-Covid.

Ndryshe, aktualisht në Kosovë aktualisht janë edhe 1291 raste aktive.