Klinika Infektive

Rritja e rasteve me Covid-19, infektologët tregojnë nëse pritet përkeqësim i situatës

Një pacient është duke u trajtuar për Covid-19 në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Vetëm në dy javët e fundit, sipas IKSHPK-së, janë regjistruar 46 raste me Coronavirus. Vlerësohet se gjendja e përgjithshme epidemiologjike është stabile.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar sot se vetëm në dy javët e fundit janë regjistruar 46 raste të reja me Covid-19.

Infektologu Arben Vishaj ka konfirmuar për Express se aktualisht një pacient është i shtrirë në Klinikën Infektive si pasojë e infektimit me këtë virus.

“Një pacient e kemi të shtrirë në Klinikën Infektive. Gjendja e tij është stabile”, ka thënë Vishaj për Express.

E lidhur mbi mundësinë e përhapjes në masë të madhe të Coronavirusit ka folur infektologu Hamdi Hamadani.

Ramadani ka thënë për Express se në rritjen e rasteve me Covid-19, ka ndikuar sezona e verës.

Këtu ai ka përmendur ardhjen e mërgimtarëve dhe fluksin e madh të qytetarëve në kafiteri e restorante.

“Si pandemi mendoj që vaksinimi jo vetëm në Kosovë por edhe në vendet e botës e ka zvogëluar , e ka ulë shumë dinamikën, por që rastet me Covid-19 mendoj që janë paraqitur, janë raste që janë si pasojë e ardhjes së mërgatës, koncentrimi i madh i njerëzve në restorante, bazente, kafiteri e të tjera, e kanë favorizuar”, ka thënë ai.

E meritën për uljen e rasteve me Covid-19, ai ia ka lënë procesit të vaksinimit.

“Nuk mendoj që do të kaloj në shifra, në një masë të një sëmundje që do të marr përmasa të mëdha, të rritur, shqetësuese apo të tjera, nëse bëhet vaksinimi dhe imunizimi me vaksina”, deklaroi Ramadani.

IKSHPK-ja ka njoftuar sot në nga 9 gusht janë raportuar 46 raste pozitive me Covid-19.

Sipas tyre numri më i madh i rasteve i takon grup-moshës 40-49 vjeç.

E më së shumti raste u raportuan në Prishtinë.

“Në dy javët e fundit (09.08.2023 – 22.08.2023) janë raportuar 46 raste pozitive dhe asnjë rast i vdekjes me COVID-19. Sipas grup-moshave rezulton se numri më i madh i rasteve i takojnë grup-moshave 40-49 vjeç (me 15 raste) me moshë mesatare 43 vjeç. Prej rasteve të konfirmuara, sipas komunave rezulton se numri më i madh është raportuar nga komuna e Prishtinës dhe Kamenicës (me nga 14 raste), kurse incidenca më e lartë e rasteve në 100,000 banorë është raportuar në komunën e Kamenicës”, thuhet në njoftim.

Ata kanë bëtë thirrje për kujdes, teksa shtuan se gjendja epidemiologjike aktualisht është e qetë.

“Përkundër rasteve të shënuara së fundi, situata epidemiologjike në Republikën e Kosovës me COVID-19 mbetet e qetë, ndërsa qytetarët që manifestojnë shenja të infeksionit këshillohen të testohen dhe konsultohen me mjekun për çdo dyshim në COVID-19”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e tyre.

Nga fillimi i pandemisë në Kosovë janë regjistruar 274,012 raste me Covid-19.

Gjithsej kanë vdekur 3.219 qytetarë, e janë shëruar 270.758 të tjerë.

IKSHPK vazhdimisht pati kërkuar që qytetarët që janë kokëdhembje, kollitje, dhembje fyti, vështërsi në frymëmarrje, rrjedhje hundësh, temperaturë, plogështi, humbje e shijes, të testohen.

Ndërkaq bartja e maskës, distanca, larja e duarve e vaksinimi janë disa nga masat parandaluese të përhapjes së virusit.