Rritja e madhe e rasteve me COVID, paralajmërohet rikthimi i maskave dhe mbyllje e re

Rritja e rasteve të reja me koronavirus në Kosovë ka bërë që të rritet ndjeshëm edhe numri i rasteve aktive.

Kësisoj, vetëm dje në vendin tonë u konfirmuan 221 raste të reja.

Kjo ka bërë që numri i rasteve aktive në Kosovë të arrijë në 888. Krahas kësaj, numri i qytetarëve të imunizuar me dy dozat e vaksinës është ende i vogël, gjithësej 162 mijë e 807.

Akterë të shëndetësisë po lobojnë vazhdimisht tek qytetarët që të vaksinohen pasi që me trendin aktual, një valë e re në vjeshtë është e pashmangshme. Madje, është paralajmëruar se në vend mund të kthehet edhe bartja e detyrueshme e maskave.

Ndërsa kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ditë më parë në Kuvend tha se vendi kërcënon të mbyllet sërish, andaj kërkoi që ministri i Shëndetësisë të angazhohet më tepër nëpër qytete që qytetarët të vaksinohen sa më shumë.

“Numrat po rriten, po kërcënohemi nga një mbyllje e re”, tha Tahiri.

Ai tha se Kosova është vendi më së paku të vaksinuar.

Tahiri ka kërkuar që ministri Arben Vitia të shtojë ekipet dhe të jetë prezent në pjesë të qyteteve të Kosovës, që të vaksinohen sa më shumë qytetarët para shtatorit.

“E shohim shpërndarjen masive të variantit Delta. Shpresoj që shtatori do të na zë me një numër më të madh të vaksinuar, dhe nëse kemi mbyllje të re, shëndeti i qytetarëve të jetë më pak i kërcënuar”, ka thënë ai.