AAK

“Rritja e kostos së jetesës”; “PISA”; “Gani Jakupi”: AAK shpalos ‘dështimet e qeverisë’

Në një konferencë për media, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka folur për “dështimet e qeverisë dhe mungesën e veprimeve adekuate ndaj çështjeve që prekin direkt mirëqenien e qytetarit”. Duke adresuar probleme të shumta, Tahiri ka theksuar se vendi po ballafaqohet me një sërë sfidash që prekin drejtpërdrejtë mirëqenien e qytetarëve.

Një prej pikave kyçe që Tahiri ka ngritur është rritja e kostos së jetesës dhe inflacioni i pakontrollueshëm. Sipas tij, kjo ka shkaktuar probleme të mëdha në standardin e jetesës dhe ekonominë familjare.

“Rritja e kostos së jetesës, e çmimeve, energjisë elektrike dhe inflacioni i pakontrollueshëm po cenon standardin e jetesës dhe ekonomitë familjare. Pra rritja e kostos së jetesës është bërë problem kombëtar. Të punësuarit janë bërë raste sociale e ata të papunët po shkojnë në varfëri të skajshme. Krejt kjo po ndodh për shkak të realizimit të ultë të buxhetit, 35% deri në shtator të vitit 2023.” – ka thënë Tahiri.

Përpos kësaj, Tahiri ka bërë thirrje për një ndryshim të menjëhershëm në sistemin arsimor. Ai ka cituar rezultatet e dobëta në PISA si dëshmi të degradimit të arsimit.

“Rezultatet në PISA dëshmuan që degradimi i arsimit nuk ka të ndalur i ka lënë nxënësit pa njohuri tradicionale dhe pa njohuri digjitale; Nxënësit tani as nuk shkruajnë dhe as nuk lexojnë mirë, as tradicionalisht as digjitalisht. Asnjë program mësimor që lidhë mësimin tradicional me digital literacy. Asnjë nivel i llogaridhënies për dështim në ofrimin e cilësisë, nga askush.” – ka thënë ai.

Në fushën e politikës së jashtme, Tahiri ka kritikuar mosarritjen e njohjeve dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare për Kosovën.

Ai e ka quajtur politikën e jashtme një dështim total, duke përmendur situatën e vendit nën sanksione.

“Diagnoza e politikës së jashtme është: 3 vjet, asnjë njohje dhe asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, vendi nën sanksione, rrnoftë Gani Jakupi! Një politikë e Jashtme, që as nuk i shërben afirmimit ndërkombëtar, as përkrahjes diplomatike të pozitës së Kosovës në dialog, as anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, as afirmimit kulturor apo avancimit ekonomikë.” – ka thënë shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së.