Rritet numri i të prekurve me kancer në mushkëri si pasojë e duhanpirjes

Duhani konsiderohet si një prej shkaktarëve kryesorë të kancerit të mushkërive, por edhe sëmundjeve tjera, u tha të premten në Ditën Botërore Kundër Duhanit, e cila u shënua me moton, “Duhani dhe Shëndeti i Mushkërive”.

Me gjithë faktin që Ligji për kontrollin e duhanit ka hyrë në fuqi që nga viti 2013, qytetarët, por edhe institucionet publike, vazhdojnë ta shkelin këtë ligj, duke tymosur brenda ambienteve të mbyllura, e duke mos i dhënë kështu prioritet mbrojtjes së shëndetit publik.

Drejtoresha e Klinikës së Pulmologjisë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Rukije Mehmeti, tha se duhani po ndikon në paraqitjen e shtuar të sëmundjes së kancerit. Ajo shtoi se të rrezikuar janë edhe ata persona që qëndrojnë në ambient të përbashkët me duhanpirës.

“Mund të them se një e treta e popullatës që sëmuret nga kanceri, vdes pikërisht prej duhanit. Numri i të prekurve me kancer është shtuar dhe te femrat, të cilat tymosin më tepër sesa në të kaluarën, por fatkeqësi edhe më e madhe është se vuajnë edhe duhanpirësit pasivë, sidomos fëmijët. Numri i fëmijëve që vuajnë nga sëmundjet po rritet nga dita në ditë, si pasojë e keqpërdorimit (të tymosjes) nga ana e duhanpirësve”, deklaroi Mehmeti.