Instituti për sëmundje ngjitëse “Robert Koch” njoftoi se 513 raste të reja të infektimeve me koronavirus janë konfirmuar gjatë 24 orëve të kaluara në Gjermani.

Në këtë mënyrë, numri i përgjithshëm i të prekurve nga virusi në ekonominë më të fuqishme të Evropës shkoi në 175,210 persona, shkruan “Reuters”.

Pas katër ditëve të pakësimit të rasteve të reja ditore, Gjermania të martën shënoi rritje të shifrës në krahasim me ditët paraprake.

Përpos të infektuarve, gjatë kësaj periudhe u shënuan edhe 72 viktima të reja dhe numri i përgjithshëm i të vdekurve shkoi në 8,007 persona.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, janë zotuar se do të krijojnë një fond të përbashkët të BE-së me qëllim të rimëkëmbjes së ekonomisë pas krizës së shkaktuar nga pandemia.