Rriten rastet me COVID-19 në Kosovë, MSH tregon nëse do ketë ashpërsim të masave

Tashmë që në Kosovë janë konfirmuar rastet e para me Omicron dhe gjatë dy ditëve të fundit ka pasur rritje të madhe të rasteve me coronavirus, masat e njëjta do të mbesin në fuqi edhe në të ardhmen.

“Masat e ndërmarra mbesin në fuqi, ndërsa duke njohur faktin se situate epidemiologjike në Evropë është përkeqësuar dhe duke u bazuar edhe në të dhënat e hulumtimeve rreth imunitetit të krijuar nga vaksinat, me qëllim të përforcimit të këtij imuniteti te popullata është shkurtuar koha e dhënies së dozës përforcuese”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë për RTV Dukagjinin.

Mirëpo jo të gjithë profesionistët pajtohen me këtë vendim.

Infektologu Hamdi Ramadani thotë se duhet të ketë përforcim të masave.

“Mendoj se brenda tri-katër ditëve institucionet qeveritare dhe IKSHPK-ja duhet të ulen dhe të rishikojnë masat anti-COVID. Duhet të ketë masa më rigoroze edhe për shkak të ardhjes së njerëzve nga vendet tjera. Por edhe puna duhet të kalojë online nga institucionet që është e mundshme”, deklaroi Ramadani.

Gjatë së enjtes në Kosovë janë shënuar 53 raste me coronavirus, derisa një ditë më parë kishte 33 raste.

Ditët paraprake janë shoqëruar me një situatë të qetë epidemiologjike.

Nga nëntë rastet e importuara me Omicron, dy kanë ardhur nga SHBA, 2 nga Londra e një nga Franca.