Pas gati më shumë se tri viteve nga ndarja e Lëvizjes Vetëvendosje, lideri i kësaj partie Albin Kurti është takuar me të parin e komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetin
Akuza, fyerje e linçime janë drejtuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti përgjatë këtyre viteve ndaj ish-shokëve të tij që u ndan nga Lëvizje Vetëvendosje dhe krijuan subjektin e ri me emrin Partia Socialdemokrate.
Kurti nuk kishte kursyer askënd kur u nda nga partia e tij, i quante si borë e parvjetme dhe se kushdo që del nga partia e tij përfundon në prehrin e PDK’së.
“Të flasësh për PSD-në është si të flasësh për borën e parvjetme. Të privilegjuarit dolën, prej kur dolën u zvogëlua pabarazia në Vetëvendosje. Gipsin e kemi hequr para një viti”, tha Kurti në KTV në kohë të zgjedhjeve.
Kurti deklaroi po ashtu gjatë vitit 2018 se 12 deputetët e PSD’së që ishin dikur, u blenë nga presidenti Thaçi dhe kryetari i PDK’së, Kadri Veseli.
“12 deputetë Thaçi i paska blerë dhe tash janë borxhlinj të Thaçit dhe Kadrisë. Kushdo që po del prej VV-së po përfundon në prehër të PDK-së. I pata lutur të qëndrojnë në Lëvizje, por paskam qenë i pashpresë për projektin e tyre. Thaçi e Veseli e kanë shfrytëzuar edhe lakminë e AAK-së dhe Nismës për pushtet”, thoshte Kurti.
Inati dhe urrejtja e Albin Kurti ndaj Shpend Ahmetit, shkoi aq larg sa që e quante të korruptuar dhe të lidhur me mafiat e ndërtimit në Prishtinë. Madje vet i pari i komunës së Prishtinës, Ahmeti pati deklaruar se Kurti nuk po i flet as në rrugë kur po shihen ndonjë herë.
Por, pas 3 viteve, Kurti në rolin e kryeministrit në detyrë shkoi të ulet në zyrën e Ahmetit dhe të takohet me të.
Kurti është i shoqëruar edhe nga ministri në detytë i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu.







