Houston

Rrëzohet një helikopter i policisë amerikane, vdes një polic

Një polic ka vdekur pas rrëzimit të një helikopteri në orët e hershme të së shtunës në Houston të Shteteve të Bashkuara. Një tjetër person është lënduar rëndë në këtë aksident.

Raportohet se në helikopter ndodheshin dy persona kur ai u përplas në një kompleks banesash rreth orës 2 pas mesnate.

Art Acevede, komandant rajonal i policisë, tha se të dy personat u dërguan në spital, por njëri prej tyre vdiq. Piloi i helikopterit është duke iu nënshtruar operacionit dhe gjendja e tij është e rëndë.

“Nuk kemi ndonjë ide pse helikopteri është rrëzuar në këtë kohë”, tha Acevedo gjatë një konference për gazetarë.

Për fat të mirë, ai njoftoi se nuk ka persona të lënduar në kompleksin banesor ku u përplas helikopteri, shkruan “Daily Mail”, transmeton Gazeta Express.

Policia bëri të ditur se nuk do t’i publikojë të dhënat e viktimës dhe personit të lënduar derisa të njoftohen familjet e tyre.