Rrëzohet avioni me 85 ushtarë në bord, të paktën 17 viktima

Të paktën 17 ushtarë kanë humbur jetën pasi një aeroplan i Forcave Ajrore të Filipineve me 85 persona në bord u rrëzua në ishullin jugor të Jolo-s. Pritet që numri i viktimave të rritet në orët në vijim.

Kreu i forcave të armatosura në Filipine, gjenerali Cirilito Sobejana, tha se aeroplani humbi pistën ndërsa po përpiqej të ulej. Sipas tij, mjeti fluturues u rrëzua afër një fshati të quajtur Bangkal në qytetin Patikul, bastion i grupit militant mysliman i njohur si Abu Sayyaf. Nga personat në bord, 40 besohet të jenë shpëtuar.

“Ne po bëjmë përpjekjet tona më të mira për të shpëtuar pasagjerët, komandantët tanë janë tashmë atje,” tha Gjenerali Sobejana.

“Ata po përpiqen të bëjnë më të mirën për të shuar zjarrin. Deri më tani kemi 40 njerëz të shpëtuar dhe duke u trajtuar. ”

Përveç ushtarëve, aeroplani C-130 Hercules, mbante pesë automjete ushtarake. sb/abcnews.al/