Rrëzimi i avionit në Nepal, Policia: Nuk ka gjasa të ketë të mbijetuar

Autoritetet në Nepal kanë thënë se ka pak shpresë që dikush i ka mbijetuar rrëzimit të një aeroplani më 15 janar.

Të paktën 68 persona kanë vdekur, pas rrëzimit të aeroplanit në afërsi të pistës.

Zëdhënësi i policisë, Tek Prasad Rai ka thënë se ekipet e shpëtimit janë duke gjetur copëza të trupave të viktimave në vendin e ngjarjes.

Ende nuk dihet çfarë e ka shkaktuar aksidentin.

Aeroplani ishte nisur nga Katmanduja për në qytezën turistike Pokhara.

Autoritetet e kanë shpallur të hënën ditë zie kombëtare, derisa Qeveria nepaleze ka formuar një panel për të hetuar shkaqet e fatkeqësisë.

Aksidentet e tilla me aeroplanë nuk janë të pazakonshme në Nepal, kryesisht për shkak të ndryshimeve të mëdha të motit që mund të vështirësojnë lëvizjen.

Ky shtet i Himalajeve, me disa prej maleve më të bukura në botë, njihet edhe për terrenet e vështira për udhëtim.

Mungesa e investimeve në aeroplanë të rinj dhe rregulloret joadekuate besohet se kanë ndikuar në aksidentet e kaluara.

Bashkimi Evropian u ka vënë ndalesë kompanive ajrore të Nepalit që të fluturojnë mbi hapësirën e tij ajrore, duke përmendur shqetësimet për nivelin e trajnimeve dhe mirëmbajtjen e pajisjeve.