Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar zyrtarisht për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Gani Gecit për kanosjen e gazetarit Lirim Mehmetaj.
Përmes një komunikate për media, Gjykata ka bërë të ditur se ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit.
Sipas Themelores caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate, pasi ekziston rreziku që i pandehuri të përsërisë veprën penale apo të kryejë veprën penale me të cilën ka kanosur, gjithashtu gjykata vlerëson se rreziku është konkret, real dhe i bazuar në rrethanat e veçanta të këtij rasti.
Gjithashtu në komunikatë thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake ka marrë parasysh mënyrën dhe rrethanat në të cilat dyshohet se është kryer vepra penale, përmbajtjen dhe intensitetin e kërcënimeve, si dhe sjelljen e të pandehurit pas ngjarjes.
Gjykata ka vlerësuar se se nëse i pandehuri lihet në liri pa masa të përshtatshme parandaluese, mund të tentojë të kontaktojë sërish të dëmtuarin L.M., të ushtrojë presion të mëtejshëm ndaj tij, përmes kanosjeve ose të ndërmarrë veprime për realizimin e kanosjes së pretenduar.
Po ashtu për gjykatën thuhet se masat alternative ndaj paraburgimit nuk do të ishin të mjaftueshme për ta evituar rrezikun e përsëritjes së veprës penale ose të kryerjes së veprës me të cilën pretendohet se është kanosur i dëmtuari.







