Abetare Pacolli-Nazifi, asistentja e zëvendësministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, është punësuar si shërbyese civile.
Nga staf politik, ajo do të kalojë në shërbimin civil brenda Ministrisë së Mjedisit.
Pacolli-Nazifi, e cila ishte asistente administrative e zëvendësministrit Durmishi, është pranuar për punë në shërbimin civil bazuar në një proces rekrutimi të udhëhequr nga një komision vlerësues i Ministrisë së Mjedisit.
Asistentja e deritanishme e Durmishit do të ushtrojë pozitën e Zyrtares së Lartë për Çështje Financiare.

Ajo ka marrë 92 pikë në procesin e rekrutimit: 62 pikë nga testi me shkrim dhe 29 pikë nga intervista.

Vendimi për pranimin e saj është nxjerrë më 20 dhjetor të këtij viti, rreth një muaj e gjysmë para zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Puna në shërbimin civil nuk ka afat të caktuar, për dallim nga kontratat afatshkurtra të emërimeve politike.
Hysen Durmishi ushtron pozitën e zëvendësministrit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës që nga marsi i vitit 2021, pak ditë pas formimit të qeverisë Kurti II. /Paparaci.com







