Rreth 900 mijë azilkërkues të lënë në harresë nga BE-ja

Sipas Zyrës Evropiane të Statistikave, gati 900 mijë azilkërkues në BE janë duke pritur që kërkesat e tyre të shqyrtohen nga shtetet përkatëse.

Gra, burra dhe fëmijë të pashoqëruar janë duke jetuar qe disa vjet në paqartësi në shtetet e BE-së. Shifra e aplikacioneve për mbrojtje ndërkombëtare ka mbetur pothuajse e pandryshuar prej dy vjetësh, kur 1.1 milionë imigrantë ishin bllokuar në Evropë.

“Jetesa në harresë tash është bërë normë për imigrantët që po kërkojnë mbrojtje”, tha Karl Klopp, kryetar i organizatës gjermane “Pro Asyl”, e cila merret me mbrojtjen e të drejtave të imigrantëve.

“Harresa nënkupton jetën në kampet e tmerrshme greke ose kalimin e kufijve dhe kthimin prapa. Ajo do të thotë kërkim i mbrojtjes dhe dinjitetit njerëzor duke qenë në dëshpërim”, shtoi ai.

Sipas të dhënave të Eurostat-it, mbi 878 mijë kërkesa për azil kanë qenë në sirtarët e shteteve të BE-së në fund të vitit 2018. Gjermania është vendi ku ka më së shumti kërkesa apo 44 për qind, ndërsa në vendin e dytë është Italia me 12 për qind.

Kjo shifër nuk është zvogëluar me kalimin e kohës, ndonëse numri i imigrantëve që kanë arritur në Evropë në dy vjetët e fundit është përgjysmuar, shkruan “The Guardian”.

loading…