Rreth 8 përqind e gjilanasve kanë votuar deri në orën 11:00

7.85 përqind e gjilanasve kanë votuar deri në orën 11:00, ku mbi 94 mijë të qytetarëve kanë të drejtë vote.

Zyrtari i lartë ekzekutiv i Komisionit Komunal Zgjedhor në Gjilan, Ferid Shabani ka thënë se deri në këtë orë kanë votuar 7405 qytetarë prej 94923 votuesve.

Tutje, menaxheri i shkollës “Abaz Ajeti”, në Gjilan, Arsim Bejtullahu tregon se sa është numri i qytetarëve që kanë shfrytëzuar të drejtën qytetare deri në orën 11:00 në këtë qendër votimi.

“Deri më tani në orën 11:00 kanë votuar 1100 votues, prej 16 mijë votuesve që kanë të drejtë votimi në këtë qendër[…]Duke krahasuar me orët e njëjta të zgjedhjeve të kaluara mund të themi se trendi i daljes në zgjedhje është pothuajse i njëjtë”, tha ai.

Bejtullahu tregon se në zgjedhjet e vitit 2019, në këtë qendër kanë votuar mbi 7 mijë persona.

“Procesi i votimit deri më tani është duke shkuar shumë mirë. Duke filluar nga dita e djeshme deri më sot ku përfshihen pranomet e materialeve të ndjeshme. Gjithçka është duke shkuar deri më tani mirë”, tha ai.

Ai potencoi se në korridoret e shkollës po ka më shumë grumbullime, ndërkaq në klasat ku edhe votohet, janë duke respektuar masat anti-COVID.

Ndryshe, në Komunën e Gjilanit janë 34 qendra votimi dhe 118 vendvotime.

Të drejta vote kanë 94,923 votues, ndërsa 8100 votues janë më pak në krahasim me zgjedhjet e kaluara për shkakun e pastrimit të listës së votuesve që kanë pasur dokumente UNMIK-ut, të vdekurit dhe për votuesit që kanë aplikuar për të votuar përmes postës.