Rreth 45 milionë euro importohen produkte të ujit në Kosovë çdo vit

Çdo vit në tregun e Kosovës importohen produkte të ujit të ambalazhuar natyral dhe mineral në vlerë rreth 45 milionë euro. Ato shiten si produkt i kontraktuar me shumicë në supermarkete, institucione të ndryshme dhe ato hoteliere.

Kompanitë prodhuese të ujit nga shtetet fqinje mbulojnë me produktet e tyre rreth 70 për qind të tregut të Kosovës gjersa kompanitë vendore të prodhimit të ujit mbulojnë rreth 30 për qind të tregut, e cila kap një shifër prej 19 milionë euro.

Ministria e Bujqësisë ka publikuar analizën e tregut të ujit të pijes të ambalazhuar me të cilën prezantohet gjendja e prodhimtarisë vendore të eksportit dhe importit, bilancit tregtar, çmimeve për periudhën kohore 2010-2017, mbështetja e sektorit si dhe konkluzionet.

Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2017, Kosova kishte importuar më së shumti ujë nga Serbia me pjesëmarrje në sasinë e importit prej 75 për qind, e pasur nga Shqipëria me 11 për qind, nga Turqia me 4 për qind, nga Kroacia me 2 për qind dhe nga Sllovenia me 1 për qind.

Këto vende përbëjnë 93 për qind të importit, ndërsa vendet të grupuara si të tjera marrin pjesë më vetëm 7 për qind.

“Sipas statistikave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, rrjedh se tregu i përgjithshëm i ujit në Kosovë në vitin 2017, vlerësohet të jetë rreth 64 milionë e 600 mijë euro. Për përmbushjen e kërkesave të popullatës për konsum me ujë të pijes të ambalazhuar, përveç prodhimit vendor një sasi e konsiderueshme e këtij produkti importohet, duke përfshirë lloje të ndryshme nga shumë vende të botës. Importi i këtij produkti në periudhën 2010- 2016, mesatarisht ka qenë 104, 165 tonë në vit, duke u shtuar varësisht nga kërkesat e tregut. Sasia më e madhe e importit ka qenë në vitin 2015, me 119,837 tonë, ndërsa në vitin 2017 kjo sasi ishte 112,988 tonë”, thuhet në raport.

Analiza flet se kompanitë prodhuese vendore të ujit kanë arritur që të rrisin kapacitet e tyre dhe kishin eksportuar produktet e tyre dhe suksesi më i madh ishte në vitin 2017 ngase vlera e eksportit ishte 10 milionë e 100 mijë euro ndërsa sasia më e ulët ishte në vitin 2010, me vetëm 2 milionë e 300 mijë euro.

Sipas të dhënave zyrtare, në Kosovë në vitin 2017 janë të regjistruara 25 kompani të vogla dhe të mesme që merren me prodhimin e ujit. Është kërkuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë që të rishqyrtojë masat e përkrahjes me qëllim që kompanitë vendore të përmirësojnë teknologjinë me qëllim që të arrihen standardet e larta të produktit të ujit.

“Sa i përket eksportit sipas vendeve, përqindja më e lartë e ujit ishte eksportuar në Maqedoni 31 për qind, pastaj Shqipëria 17 për qind, Bullgaria me 10 për qind, Rumani 7 për qind, Mali i Zi 6 për qind, Zvicër 4 për qind e pasuar nga Serbia dhe Italia që kishin pjesëmarrje prej 2 për qind, si dhe në shtetet e grupuara si të tjera me 21 për qind. Nga të dhënat e paraqitura në këtë analizë, mund të konkludojmë se në Kosovë ky sektor është në rritje e sipër dhe se është duke u zgjeruar me hapa të shpejtë”, thuhet në raportin e Ministrisë që është publikuar këtë vit.

loading…