Rreth 30% e popullatës së rritur në Kosovë konsumojnë duhan

Në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, është shënuar Dita Botërore pa Duhan.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha, tha se prevalenca e duhan-pirjes në Kosovë mbetet ende e lartë me rreth 28%-30% të popullatës së rritur që konsumojnë duhan.

Sipas shifrave që posedon Ministria, burrat janë konsumues më të mëdhenj të këtij produkti, por që fatkeqësisht është vërejtur rritje e konsumimit edhe në mesin e gjinisë femërore, përfshirë këtu edhe shtatzëna.

“Disa vjet pas, ne shohim rënie të ndjeshme të disiplinës për zbatimin e Ligjit për Kontrollin e Duhanit, i cili pavarësisht shkeljeve që i bëhen ka sjellë një kulturë të re edukative në shoqërinë tonë, duke prodhuar efekte në uljen e konsumit në mesin e të rinjve, siç tregon edhe Hulumtimi gjithëpërfshirës i duhan-pirjes tek të rinjtë GYTS II, i cili gjeti se në mesin të rinisë të moshës 13-15 vjeç, konsumi i duhanit nga 6.7% sa ishte para hyrjes në fuqi të ligjit, kishte rënë në 4.4% më 2016, derisa duhan-pirja pasive ishte përgjysmuar, nga 84% në 43%. Prevalenca e duhan-pirjes në Kosovë mbetet ende e lartë me rreth 28%-30% të popullatës së rritur që konsumojnë duhan, ku burrat janë konsumues më të mëdhenj të këtij produkti, por që fatkeqësisht është vërejtur rritje e konsumimit edhe në mesin e gjinisë femërore, përfshirë këtu edhe shtatzëna”, tha mes tjerash ajo.

Arben Lila-Përfaqësues i organizatës KADC, theksoi rëndësinë e zbatimit të Ligjit për Kontrollin e Duhanit dhe theksoi se duhet pamundësuar që industria e duhanit të ketë ndikim mbi institucionet dhe të ndërhyjë në politikat e kontrollit të duhanit, siç ka bërë në disa nga qeveritë e kaluara, duke shtyrë miratimin e Udhëzimit për vërejtjet e kombinuara shëndetësore.

Ai gjithashtu, u shpreh se duhet të organizohen më shumë aktivitete, si: vendosja e fotografive në pakot e duhanit, të cilat sipas tij, në vitet paraprake, kanë treguar një rezultat shumë të mirë në lënien e duhanit.

Oleksandr Martynenko, nga Zyra e OBSh-së, Prishtinë tha se me rastin e shënimit të kësaj Dite, duhet të ndërgjegjësojmë popullatën se sipas tij, dëmi nga duhanpirja shkon përtej tymit të një cigareje.

Ai tha se duhani shkakton kancer, dhe se çdo i dyti person duhanpirës, ka gjasa të vdesë nga sëmundjet kardiovaskulare dhe kanceri.

“Nga fillimi në fund – nga paketimi, transporti, konsumi -Cikli jetësor i duhanit ndot, dëmton dhe përfundimisht na vret ne dhe planetin tonë”, tha ai.