Rreth 100 të vdekur nga aksidentet gjatë këtij viti

Dje një person ka humbur jetën dhe dy të tjerë kanë mbetur të lënduar në një aksident trafiku në magjistralen Prishtinë – Podujevë. Aksidente si ky me fatalitet janë të shumta në Kosovë.

Vetëm gjatë këtij viti në aksidente trafiku kanë humbur jetën 99 persona. Përllogaritet që brenda një viti në komunikacion humbin jetën mbi 100 persona, ndërsa vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti nga kompanitë e sigurimeve u paguan 22 milionë euro dëme, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Një person ka gjetur vdekjen dje në një aksident trafiku në magjistralen Prishtinë – Podujevë, përkatësisht në fshatin Lluzhan. Nga ky aksident të lënduar mbetën edhe dy persona të tjerë.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, të prezantuara dje në Ditën Ndërkombëtare pa Viktima në Trafik, vetëm gjatë këtij viti në aksidente me fatalitet kanë pësuar 99 persona. Shqetësues është numri i viktimave në komunikacion qysh nga paslufta. Gjatë këtyre 19 vjetëve në Kosovë kanë humbur jetën gjithsej 2513 persona, teksa përllogaritet që çdo vit në aksidente shuhen mbi 100 jetë njerëzish. Të alarmuar me këtë gjendje janë edhe kompanitë e sigurimeve.