Rreth 1 mijë e 400 punëtorë shëndetësorë do të vaksinohen në Gjakovë

Komuna e Gjakovës është ndër komunat e parë e cila ka nisur vaksinimin e personelit shëndetësor. I pari që u vaksinua në këtë komunë është shefi i vaksinimit në Gjakovë, Burim Gojani.

Vaksinimi po bëhet në Qendrën e Mjekësisë Familjare “Çabrati” dhe kjo pritet të jetë qendra ku do bëhet vaksinimi.

Ndonëse nuk e mori vaksinën kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini u shpreh i lumtur që tashmë vaksinimi filloi edhe në komunë që ai udhëheqë. Ai madje u shpreh i gatshëm për t’u vaksinuar në momentin kur do i vije radha.

Derisa shpreson që procesi do ecën mbarë, Gjini tha se fillimisht me sasinë që e kanë në dispozicion do të vaksinohen rreth 1400 persona.

“Do vaksinohet personeli shëndetësorë dhe personat shumë të shtyrë në moshë, kjo është faza e parë. Sot kemi filluar dhe po besoj që do të shkoj gjithçka në rregull. Janë diku 1300-1400 persona sa kam informacion unë që do vaksinohen më këtë dozë të vaksinës. Po shpresoj që shumë shpejt do vijën edhe dozat tjera dhe të arrijmë sa më shpejt të jetë e mundshme që të vaksinohet gjithë popullata apo pjesa dërrmuese e popullatës së Kosovës të jetë e vaksinuar në mënyrë të lëvizim pak më lirshëm[…]po shpresoj që do kemi një program nacional të informimit sa më të saktë të qytetarëve tanë se është me rëndësi jetike dhe për vetë individin por edhe për ne që do e marrim vaksinën. Po pres rast që nëse do ketë vendim që edhe kryetarët e komunave të vaksinohen do jem ndër të parët që do e marr tani nuk jemi të paraparë për një gjë të tillë, por nëse vaksinimi im do ndikonte që qytetarët sa më pak të ketë hezitues menjëherë do e bëjë një gjë të tillë”, tha ai.

Ndërsa, Burim Gojani i cili shënon personin e parë të vaksinuar në Gjakovë tha se vaksinën antiCOVID-19 e mori për të përçuar edhe mesazh sensibilizues te të gjithë se kjo vaksinë duhet të merret pasi është mbrojtja më e mirë nga Covid-19.

Ai tha se nuk ka hezituar që ta marrë këtë vaksinë përkundër dyshimeve që që janë shfaqrur në disa shtetet rreth vaksinës AstraZeneca.

“Me profesion mjek dhe shef i vaksinimit atëherë duhet të shërbejmë si shembull të tregojmë që vaksina është e sigurt dhe duhet të gjithë të vaksinohen pasi në këtë fazë duhet të vaksinohen të gjithë profesionistët shëndetësor atëherë është mirë që të gjitha ta marrin pasi që është e vetmja mbrojtje për këtë sëmundje[…]në kohën e pandemisë kemi shumë dezinformata dhe teori konspirative por ne jemi mjek dhe duhet t’i besojmë një vaksine që është e certifikuar pse mos ta marrim “, theksoi ai.

Vaksinat antiCOVID-19 arritën në Kosovë në mbrëmjen e 28 marsit. I pari që mori vaksinën antiCOVID-19 ishte Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Pas Kurtit, pra të hënën u vaksinua edhe zyrtarja për emergjenca në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSh), Isme Humolli, infektologu i Klinikës Infektive, Sali Ahmti dhe aktori Selman Jusufi.

Ndërsa të martën, ka filluar procesi i vaksinimit të personelit shëndetësorë të Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe në sallën “1 Tetori”.

Në bazë të planit të vaksinimit në fazën e pare do të vaksinohen grupet me rrezik të lartë ku përfshihen punëtorët shëndetësorë, banorët dhe punëtorët shëndetësorë të shtëpive të kujdesit për të moshuarit, grupmoshat 80+ dhe një pjesë e popullsisë me sëmundje kronike (persona në dializë, persona me diabet, sëmundje kardiovaskulare).

Në këtë grup, numri i përgjithshëm i personave llogaritet të jetë 54.000 mijë apo 3 për qind e popullsisë së përgjithshme të Kosovës.

Faza e dytë përfshinë grupmoshat 65-79 vjeç, popullsia e mbetur me sëmundje kronike, mësimdhënësit dhe forcat e sigurisë që janë të përfshira në menaxhimin e pandemisë COVID-19. Ky grup përbëhet nga 306.000 persona apo 17 për qind e popullsisë.

Ndërkaq, për fazën e tretë parashihet të bëhet vaksinimi i 50 për qind të popullsisë në mënyrë që të arrijë 900 mijë persona ose 70 për qind të mbulimit të përgjithshëm të popullsisë me vaksinën COVID-19.