“Rrenci po viktimizohet”| Bekë Berisha mohon ta ketë kërcënuar Enver Dugollin

Pas akuzave të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli se kryetari i komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë Berisha e ka kërcënuar e sharë brenda mbledhjes. Berisha ka folur për këtë ngjarje.

Berisha ka mohuar akuzat e Dugollit duke thënë që ai është një rrenc dhe po tenton të përfitojë nga ai.

“Nuk është e vërtete, s’ka ndodhë kurrgjë, po po tenton me fitu edhe një mandate qeshtu, viktimizimi i shkon më për shtati LDK-së unë se di çka po donë ky“, tha deputeti i AAK-së.

 “Ja nuk është e vërtetë, Enveri është një rrenc që po tenton me fitu edhe një mandate me ketë far forme. E kanë kuptu unë e pata bo ministër e pata nxjerr në pah qat ministrin e Financave, tash edhe këta po dojnë qeshtu me u nxjerr dmth duke u thirr ne emër tem”, ka thënë Berisha për Insajderin.

I pyetur se a ka ndezur cigare, ai deklaroi se “Vallain se di, s’ma merr mendja”.

Ndërkohë, Dugolli tha se deputeti Berisha e humbi arsyen dhe e kërceni në prezencë të Policisë se ‘vetëm je i sëmurë e keq me shëndet se ta kisha treguar vendin këtu”.

 “Dua të ju njoftoj se kryetari i këtij Komisioni, Bekë Berisha, ku fillimisht bëri shkelje ligjore duke ndezur cigare në ambiente të mbyllura të Kuvendit të Kosovës dhe në momentin që mori vërejtje nga deputeti Dimal Basha që ta fik cigaren, por lere që nuk e fiki cigaren”.

“…por bëri një sjellje të një njeriu të fortë, filloi ta humb arsyen dhe që në momentin nuk mori përgjigje nga drejtori i Policisë, dhe ma dha fjalën më kërcënoi verbalisht në prezencë të Policisë dhe anëtarëve të Komisionit me fjalët se ‘vetëm je i sëmurë e keq me shëndet se ta kisha tregu vendin këtu’ që ishte kërcenim verbal”.

Më tej, Dugolli paralajmëroi se do t’i ndjek hapat e mëtutjeshëm ndaj Bekë Berishës.

“Për shkak të kërcënimit të vazhdueshëm ndaj deputetëve të komisionit, unë do t’i ndjek procedurat e duhura parlamentare dhe do t’i drejtohem kryetarit të Kuvendit dhe Kryesisë së Kuvendit për adresimin e masave disiplinore ndaj Bekë Berisha”, tha tutje Dugolli.