Mjekja

Rrëfimi i Time Kadrijajt për luftën: Për femrat ishin sfiduese rrethanat malore

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj ka rrëfyer detaje nga lufta e UÇK-së, pjesëtare e së cilës ishte edhe ajo.

Kadrijaj thotë se pas sulmeve serbe në shtëpinë e Familjes Haradinaj ajo, si mjeke që ishte, me kënaqësi iu bashkëngjit radhëve të UÇK-së, bashkë me shumë gra e vajza të tjera të profesionit.

Thotë se në radhët e UÇK-së kishte edhe shumë kontribuese të tjera, që bënin ushqim për ushtarët, lanin rrobat e tyre e shërbime të tjera të vlefshme.

Mjekja tregon se ka operuar në Zonën e Dukagjinit në vijat e para të frontit, duke mbledhur të gjitha barnat që ishin në shtëpi, për t’i grumbulluar në një shtëpi periferike, që të mund të përdoreshin për shërimin e ushtarëve të plagosur.

Deputetja e AAK-së tregon se më pas është improvizuar një spital ushtarak në fshatin Irzniq.

“Me angazhimin e të gjithëve në atë spital u improvizua edhe një sallë për operacione, ku shumë ushtarëve u janë bërë ndërhyrje kirurgjike, duke iu shpëtuar jeta”, tha ajo në Dukagjin.

Kadrijaj thotë se pavarësisht se ka qenë personal mjekësorë, ajo dhe kolegët e saj kanë qenë të stërvitur për çfarëdo situata dhe kanë pasur armët me vete.

Mjekja e UÇK-së thotë se ajo ishte rreth moshës 26-27 vjeçe kur u gjend në frontet e luftës dhe sipas saj për femrat ishte më sfiduese të luftoje në kushtet dhe rrethanat malore.

“Më kujtohet kur në Koshare donim të thyenim kufirin na u deshtë të udhëtonim natën në kushte kur binte shi dhe ishte shumë ftoftë. Gjithë rrugës jemi lagur dhe jemi rrëzuar kohë pas kohe. Na është dashur me një qese të improvizojmë një vendqëndrim për të pritur mëngjesin sepse dihej që do të sulmonim më 9 prill”.

Kadrijaj thotë se asnjë ushtarë nuk ka vdekur për shkak të mungesës së ndihmës së parë.