Rrëfimi i kamarierit kosovar që e kishte falënderuar në gjunjë ish presidentin Clinton

Kamarieri nga Peja që punon në New York, Arben Hysenaj, ka takuar ish-presidentin e SHBA-së, Bill Clinton dy herë, një herë në vitin 2017 dhe herën e dytë sot. Herën e parë, Hysenaj e kishte falënderuar në gjunjë ish presidentin Clinton për kontributin e tij për Kosovën. Ndërsa dje Clinton gjatë fjalimit të tij e përmendi Arbenin.

Ai në Frontal të T7 tha se kur e ka dëgjuar atë, i është kthyer emocioni i vitit 2017, kur e ka takuar për herë të parë Clintonin.

“Kur e dëgjova dje ma ktheu emocionin e vitit 2017 kur e kam taku për herë të parë”, tha ai fillimisht.

Ai tregoi se si ka qenë takimi i parë me ish presidentin amerikan.

“Ka ardhë me darku, me rezervim. Ajo ditë ka qenë dita e fundit e punës në atë restorant dhe e kom përmbyll mirë. Nuk kom pas ndonjë moment me bisedu me të, krejt ajo ka lind aty për aty. Stafi e ka dit që vjen presidenti dhe ai ishte bashkë me Hillary Clinton dhe një shok tjetër.”

“Ishte ditë shumë e mirë, e paparamendume. Unë isha i përzgjedhur me i shërby atij, por kishte edhe kamarierë tjerë shqiptarë. I kom shërby caviar, pastaj sallatë, kur ka ardhë te ushqimi kryesor, më ka ardhë vetëvetiu dhe iu kom falenderu”

“Në mënyrë të thjeshtë, për shkak tanin dhe shtetit tan unë jetoj dhe po të shërbej ty sonte. Për shkak të ndihmës tande, familja jem dhe krejt Kosova gëzojnë lirinë prej teje, u emocionu e më tha i kahit je, i thashë prej Kosovës edhe i thashë a të kujtohet lufta e vitit 1999, tha po. Reagimi ishte shumë i mirë, derisa mpërqafoi, u emocionum të dy.I tregova qysh kom shpëtu, që kam qenë me familje, na kanë nda meshkujt dhe gratë, na kanë qit para pushkatimit mua dhe babain tem, nuk e di si kam shpëtu.”

Ai tha se sot Clinton është befasuar kur e ka parë atë.

“Sot kur e kom taku, u befasu, tha nuk e kom prit”, tha ai në Frontal.

Clinton dje gjatë fjalimit të tij plot emocion tregoi për një falënderim që e kishte marrë nga Arbeni.

“Kur isha në një restorant në New York, me 12 njerëz në një sallë private ku po diskutonim gjëra të rëndësishme themelore, dhe një kamarieri erdhi që të merrte porosinë. Ai e pa se kush ishte aty, uli tabakun që kishte ujin dhe u ul në gjunjë dhe më pa e më tha: “Falë teje, familja ime është gjallë”. Dhe njerëzit e tjerë më të cilët isha nuk e kishin idenë se çka po ndodhte. Unë ua shpjegova se ishte shqiptar nga Kosova”, tha Clinton.