Rrëfimi i dhimbshëm i prindit nga Drenasi: Akuzon mjekët për vdekjen e vajzës 15-vjeçare

Vajza 15-vjeçare nga Drenasi Anita Mehmeti ka ndërruar jetë në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve më 14 maj, pas tre ditësh ankesë për dhimbje në bark. Babai i saj Rrahimi, po i akuzon kirurgët dhe mjekët në Klinikën e Pediatrisë që sipas tij nuk e kanë marr parasyshë vajzën.

“Që tre, katër ditë ka qenë smutë. Në Prishtinë, në QKUK e kemi çu, fillimisht në Klinikën e Pediatrisë, aty nuk e morën, e kanë çu në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve. Aty ia kanë bë një ultrazë edhe analizat ia kanë bë. Tani prej aty, na kanë thënë që vajza nuk është te na, çoje në Pediatri. Tani e kam çu në Pediatri e kanë këqyrë edhe ata, kanë thënë jo se çikën e lëshojë fuqia, villke, i bijke munim. Tani prej aty e kam kthy prapë në Kirurgji të Fëmijëve, mjektë aty më thanë që vajza nuk ka çka lyp këtu, çoje në Pediatri”, tha Mehmeti.

Babai tutje në një rrëfim për sinjali.com ka deklaruar se një mjek pediatër ia kishte përshkruar disa barna dhe i kishte thënë ta dërgonte vajzën në shtëpi. Por vetëm disa orë më vonë sërish ishte kthyer në Kirurgji pasi gjendja e vajzës ishte përkeqësuar.

Në Kirurgji thotë se ia kanë bërë edhe një ultrazë, sipas të cilit mjekët, thotë Mehmeti, konstatuan se i ka pëlcitur zorra qorre dhe duhet të operohet. Mehmeti kishte shkuar për ta plotësuar raportin për operimin e saj dhe thotë se kur është kthyer e ka gjetur Anitën të vdekur.

QKUK në një përgjigje për zërin, kanë deklaruar se rasti do të hulumtohet dhe për këtë është formuar një komision. “Rasti do të hulumtohet, ShSKUK ka formuar një komision në përbërje të tre klinikave”, thuhet në përgjigjen zyrtare të QKUK-së.

“Ekipet reanimatore të emergjencës kanë bërë maksimumin. Poashtu, rasti në fjalë ishte konsultuar dhe kontrolluar edhe nga pediatrit dhe kirurgët e fëmijëve, por duke qenë se gjendja ishte e rënduar, më pas ishte transferuar në emergjencë për masa reanimatore siç edhe ju shpjeguam’ kanë thënë nga QKUK-ja.

Sipas QKUK-së, mjekët kanë kërkuar të bëhet obduksioni, siç edhe kërkohet në raste të tilla, por familjarët nuk kanë pranuar të kryhet.