Rrëfimi i Arta Jasharit, vajza që po kujdeset për babain e prekur nga COVID-19

Sopranoja Arta Jashari, ka folur për gjendjen shëndetësore të babait të saj, profesorit si dhe drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari i cili është i prekur me virusin COVID-19.

Arta tha se është duke u kujdesur për babain e saj qysh nga fillimi i paraqitjes së simptomave të para, me virusin COVID-19.

Ajo tregoi se gjendja e tij aktuale është shumë më e mirë se nga ajo që e ka kaluar ditë më parë.

“Gjendja momentale është shumë më mirë se e ditëve të kaluara, si duket është duke u shëruar edhe pse ngadalë. Por sot është shumë më mirë. Fillimisht ka pas simptoma shumë të lehta, ethe, temperaturë, koll. Por ka pas një ligështim dhe nuk e dinim se nga i vinte. Ka kërkuar ndihmë në një Qendër të Mjekësisë Familjare, ku më pas ju kanë bërë disa testime dhe kontroll. I kanë shkruar një recetë me antibiotikë. Më pas brenda dy ditësh u përkeqësua gjendja dhe e çuam në Infektivë, në mëngjes. Më 26 qershor babi është hospitalizuar. Fillimisht në Infektivë për t’i bërë testin. Ishte në gjendje shumë të rëndë me diarre. E vendosën në Klinikën e Pulmologjisë, ku i dërgojnë pacientët deri sa të marrin testin i cili vonon. Aty ka marr terapinë dhe hospitalizimin”, rrëfen ajo.

Arta theksoi se pas qëndrimit katër ditor në Klinikën e Pulmologjisë, ajo kishte insistuar që babain ta marr për në shtëpi, pasi siç tha ajo kushtet jo të mira të klinikës e detyruan ta marr këtë veprim me lejen e mjekëve.

“Në Pulmologji ka ndejt katër ditë, dhe meqenëse nuk ka pas lëvizje në aspektin e përkeqësimit të frymëmarrjes, mu ka dukë që aty është më i rrezikuar prej pacientëve të tjerë dhe kushteve të cilat nuk janë aspak të mira. Jam detyruar dhe kam biseduar me pulmologun Flamur Marku të cilin e falënderoj për kujdesin gjatë gjithë kohës, motrat e stafin, si dhe Ardian Hotin. Veprimet e mia janë të aprovuara nga mjeku”, tha ajo, shkruan Telegrafi.

Ajo shpjegoi se janë bërë 10 ditë që janë duke qëndruar në shtëpi me babain e saj, si dhe shpjegon kujdesin e shtuar me të cilën e trajton sëmundjen e tij.