Rrecaj: Vrasjet në Kosovë pas qershorit të vitit 1999, mund të quhen vrasje ordinere por jo krime lufte

Avokati Tahir Rrecaj është kundër mënyrës se si po i trajton Gjykata Speciale ngjarjet në Kosovë që lidhen me luftën dhe pasluftën.

Rrecaj në “Debat Plus” thotë se krimet që janë kryer në Kosovë pas 10 qershorit të vitit 1999 nuk mund të trajtohen si krime lufte nga Gjykata Speciale.

“Specialja i trajton një vit e gjysmë krimet e luftës dhe një vit e gjysmë pas luftës. Por këto pas 10 qershorit nuk mund të konsiderohen krime të luftës. Këto mund të quhen vrasje ordinere, vrasje të rënda por jo krime të luftës”, tha ai.

Rrecaj ka thënë se personalisht ka qenë kundër themelimit të Gjykatës Speciale pasi sipas tij ajo nuk po i trajton të gjitha krimet.

“Krime lufte janë prej asaj dite kur ka filluar lufta deri kur është nënshkruar marrëveshja paqësore”, tha ndër të tjera Tahir Rrecaj.