Rrecaj: Nazif Mehmeti është ftuar në cilësinë e të dyshuarit

Avokati Tahir Rrecaj ka folur në emisionin Frontal në T7 lidhur me intervistimin e ish’luftëtarit të Zonës Operative të Llapit Nazif Mehmetit nga Gjykata Speciale.

Rrecaj ka deklaruar se intervistimi i Mehmetit ishte paramenduar të zgjasë për tre ditë duke dhënë detaje edhe se çka është pyetur ai.

“Sigurisht këto dy ditë kanë qenë të planifikuara tre ditë se rasti është jashtëzakonisht shumë voluminoz dhe hetimet janë të zgjeruara lidhur me pretendimet për krime të luftës. Është pyetur që nga fillimi e deri në përfundim të luftës”, deklaroi avokati.

Ai ka shpjeguar se ish’ushtari i UÇK ‘së është ftuar në cilësinë e të dyshuarit.

“Është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, kur e kemi marrë njoftimin me 10 dhjetor atij nuk i kanë dhënë fare thirrje por vetëm një njoftim ku nuk shkruante cilësia. Janë kërkuar sqarime megjithatë deri dje kur ka filluar intervistimi nuk na kanë treguar. Ligjërisht kemi pasur të drejtë të shtyjmë seancën por ai ka qenë i gatshëm të paraqitet”, shtoi Rrecaj.

Intervistimi i Mehmetit ka filluar të martën kur edhe i dyshuari është intervistuar për disa orë, ndërkaq, ka vazhduar edhe sot.

“Dje ka filluar intervistimi në orën 9:30 deri pas orës 17:00 edhe sot në orën 09:00 deri në orën 14:00. Prokurori Special ka qenë jashtëzakonisht korrekt, thirrjet i kanë shpërnda policët hetues të dhomave të specializuara Dje e kemi kuptuar, unë kam kërkuar nga Prokuroi Special të na tregojë në çfarë cilësie është ftuar, varësisht nga cilësia të drejtat dhe detyrimet e tij janë të ndryshme”, deklaroi ai.

Gjithashtu, ai ka shtuar se që nga fillimi kanë dyshuar se klienti i tij është ftuar në cilësinë e dëshmitarit.

“Që nga fillimi kam besuar se është i ftuar si i dyshuar ashtu edhe mbrojtjen e kemi përgatitur në atë mënyrë. Jemi përgatitur për sqarime në dhënien në pyetjet e parashtruara, e dinim që pyetjet ishin të periudhës së luftës. Si dëshmitarë është detyruar ta thotë të vërtetën”, shtoi ai, duke shpjeguar se ka dhënë detaje nga tetori 1998 deri në përfundim të luftës.

Megjithatë, avokati nuk ka dhënë detaje për pyetjet dhe përgjigjet duke deklaruar se beson se për klientin e tij nuk do të ngritët aktakuzë.

Nuk mund të lëshohem në detaje lidhur me pyetjet e përgjigjet, është pyetur në detaje për aktivitetin e tij gjatë periudhës së luftës. Kemi zgjedh strategjinë që të përgjigjet në të gjitha pyetjet e parashtruara, dihet krimet në Kosovë kush i ka kry. Besojmë që nuk do të ketë aktakuzë, vlerësimi im është nga këndvështrimi personal, tha Rrecaj.