Rrahu babanë dhe vëllain, gjykata vendos për prizrenasin

Gjykata Themelore në Prizren, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje 30 ditësh,ndaj të pandehurit A.L., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “dhuna në familje“.

“ I pandehuri A.L., me datë 20 prill, në orët e hershme të mëngjesit, në  Prizren, në  banesën e përbashkët familjare, me dashje kryen dhunën ose keqtrajtimin fizik, me qëllim të cenimit të dinjitetit të të dëmtuarve brenda një marrëdhënie familjare, ndaj të dëmtuarve respektivisht babait dhe vëllait të tij, në atë mënyrë pas një mosmarrëveshje paraprake pasi që të dëmtuarit tentojnë ti japin terapinë mjekësore të pandehurit, në atë moment i pandehuri në mënyrë agresive dhe me zë të larët i drejtohet të pandehurve, më pastaj edhe i sulmon fizikisht të dëmtuarit duke i goditur me grushte si dhe duke i kafshuar me dhëmbë, me të cilat veprime tek të dëmtuarit ka shkaktuar ndjenjën e frikës dhe të shqetësimit”, njofton Gjykata.

“Gjyqtari i procedurës, gjithashtu ka lëshuar URDHËRESË – PËR EKZAMINIM PSIKIATRIK, për të pandehurin A.L., ashtu që Instituti adekuat, duhet të vërtetojë faktin se i pandehuri A.L., a ka qenë në gjendje të kuptoj natyrën dhe rëndësinë apo pasojën e veprimeve në kohën e kryerjes së veprës penale, dhe të konstatohet se në çfarë gjendje psikike mendore ka qenë gjatë kësaj kohe, si dhe të konstatohet se në kohën e kryerjes së veprës penale aftësia e tij mendore a ka qenë e zvogëluar”.