LVV

Rrahmani demanton Haxhiun, konfirmon qëndrimin e deputetëve kundër Kodit Civil

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani, ka thënë se Qeveria e Kosovës doli jashtë programit të cilin e kishte prezantuar para zgjedhjeve kur e solli Kodin Civil për votim në Kuvend.

Rrahmani është një nga zërat më kundërshtues brenda Lëvizjes Vetëvendosje. Ai hapur kundërshton votimin e Kodit Civil, i cili parasheh edhe martesën e gjinisë së njëjtë. Votimi i tij ka dështuar një herë në Kuvend.

Deputeti madje beson se Kodi Civil nuk do të kthehet për votim këtë mandat, pasi siç thotë ai, edhe ministrja Albulena Haxhiu e di qëndrimin kundër të deputetëve. Në biseda private, siç thotë Rrahmani, 80 për qind e deputetëve janë kundër këtij Kodi Civil.

“Nuk besoj që këtë mandat do të kthehet Kodi Civil me atë përmbajtje. E di ministrja qëndrimin e deputetëve rreth kësaj çështje. Nuk është që ka pasur diskutim brenda VV-së për këtë çështje që kur ky projektligj nuk ka kaluar. Mbi 80% në biseda private kanë thënë se nuk e mbështesin, por me vota pak më pak. Si shqiptar, e kemi një traditë si krijohet familja. Ata njerëz që duan familje ndryshe, le të dalin në zgjedhje me atë ndryshim. Me ardh në pushtet me diçka tjetër, e kur të vjen në pushtet diçka tjetër – nuk do duhej me ndodh as prej neve, Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë Rrahmani.

Rrahmani ka thënë se do të votojë dhe ka votuar gjithçka që ka qenë në programin qeverisës të VV-së para zgjedhjeve. Shton se s’ka pasur ndonjëherë trysni nga partia apo Qeveria që ka votuar kundër për ndonjë çështje të caktuar.

Sa i përket dialogut, Rrahmani ka thënë se është një proces i gjatë dhe i cili nuk ka shkuar në mënyrë e duhur. Ndërsa ka fjalë të mira për kryeministrin Albin Kurti.

“Kurti po jep maksimumin që të dalë nga ky proces sa me më pak dëme”, ka shtuar ai.

Rrahmani ka bërë thirrje që spektri politik në vend të jetë i unifikuar kur vjen çështja te dialogu, “pasi debatet për këtë çështje, po e dobësojnë pozicionin e Kosovës”.

Kjo deklaratë e Rrahmanit demanton atë të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cila ka deklaruar se Kodi Civil do të votohet këtë vit.

“Unë kam thënë që brenda këtij viti do të procedohet Kodi Civil, konsideroj që është një dokument shumë i rëndësishëm dhe sidomos duke pasur parasysh që delegacioni nga Këshilli i Evropës do të vij në Kosovë gjatë këtij viti, është mirë që Kosova të dëshmoj si vend që është për avancimin e të drejtave të njeriut”, tha Haxhiu para pak ditësh.