Rrahman Jasharaj: Qeveria fajtore për humbjen e orëve, greva e përgjithshme më 25 gusht

Më 1 shtator, nxënësit kosovarë nuk do të kthehen në bankat e shkollave, sepse mësimdhënësit e tyre do t’i bashkohen grevës së përgjithshme në sektorin e arsimit.

Drejtuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), thonë se Qeveria e Kosovës edhe pas shumë përpjekjeve ka refuzuar të dialogojë me ta dhe t’ua plotësojë kërkesën për dhënien nga 100 euro për mësimdhënësit deri në miratimin e Ligjit të Pagave.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahaman Jasharaj, në një intervistë për Demokracia.com ka thënë se i vjen shumë keq nga nxënësit dhe prindërit që janë të detyruar të hyjnë në grevë, por sipas tij krejt kjo po ndodhë me faj të Qeverisë së Albin Kurtit.

Jasharaj në këtë intervistë për Demokracia.com ka akuzuar Qeverinë Kurti për injorimin e sindikatave.

Ai ka thënë se greva që do të nis një javë para fillimit të procesit mësimor, do të zgjasë deri në plotësimin e kërkesave të mësimdhënësve kosovarë.

Po ashtu, Jasharaj ka folur edhe për kërkesën për shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ për lejimin e shamisë në shkolla.

Kryesindikalisti Rrahman Jasharaj ka thënë se SBASHK nuk ka ndonjë qëndrim lidhur me këtë çështje dhe kjo nuk është diskutuar asnjëherë në sindikatë.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), ka paralajmëruar grevë të përgjithshme nga shtatori, meqë  Qeveria Kurti nuk i ka përfillur kërkesat e sindikatave për dialog. A keni biseduar këto ditë me Ministrinë e Arsimit apo Qeverinë?

Rrahman Jasharaj: Ne, paralajmërimet për grevë i kemi bërë me kohë, sepse kemi pasur para disa kohësh takim me zëvendësministrin e Arsimit, Dukagjin Pupovci, pasi që ministrja Arbërie Nagavci është arsyetuar se është jashtë vendit. Këshilli Drejtues i SBASHK ka vendosur që grevën ta fillojë më 25 gusht, që nënkupton se punëtorët e arsimit me t’u kthyer nuk do ta kryejnë asnjë përgatitje për vitin shkollor. Kjo do të jetë edhe një mundësi që Qeveria ta kuptojë që sistemi arsimor po shkon drejt grevës së përgjithshme. Nëse edhe në atë javë, Qeveria nuk ndërmerr asnjë akt që të ulet me ne të bisedojë dhe të përpiqet të realizojë kërkesat tona, atëherë më 1 shtator nxënësit nuk do të jenë në shkollë. Në vend të ziles dhe nxënësve, shkollat e Kosovës, por edhe çerdhet, 1 shtatori do t’i gjejë në grevë. Ja kemi treguar të gjitha zëvendësministrit dhe e kemi lutur ta përcjellë këtë shqetësim. Edhe përmes BSPK-së është njoftuar Qeveria që në këtë situatë nuk kemi zgjidhje tjetër, pasi që i kemi bërë të gjitha përpjekjet për dialog, grevën njëorësh, etj. Ne i dërguam Qeverisë Kurti edhe ndërmjetësuesin ligjor, që ai të ndihmojë në dialog dhe Qeveria nuk iu përgjigj as ndërmjetësuesit. Ne konsiderojmë se të gjitha mundësitë janë shtjerrë dhe nuk na ka mbetur asgjë përveç grevës.

Si e shihni qasjen e Qeverisë karshi sindikatave?

Rrahman Jasharaj: Unë e kam thënë se kjo është qasje e gabuar e kryeministrit Kurti, ministrit Murati, por edhe ministrja Nagavci i ka ikur takimit me ne dhe çka është më keq, ne e kemi lutur që ajo të bëhet zëri ynë në takimet e Qeverisë, që t’i bartë shqetësimet tona dhe këtë gjë nuk kemi parë që e ka bërë ndonjëherë. Qeveria Kurti ka qasje të gabuar ndaj sindikatave dhe dëshiron t’i injorojë kërkesat e tyre. Dëshiron ta krijojë një situatë sikur të mos kishte fare sindikata në Kosovë. Në Kosovë ka sindikata. SBASHK edhe në të kaluarën ka bërë protesta, greva dhe dialog dhe në një gjendje të tillë gatishmërie është edhe tani.

Edhe në mbledhjen e fundit të KD ka pasur zëra që kanë ngritur kritika të arsyeshme, pse nuk kemi hyrë në grevë edhe më herët, por u kemi treguar se kemi bërë të gjitha përpjekjet për dialog, duke e dërguar edhe ndërmjetësuesin ligjor, sepse edhe ligji e thotë para se të hyhet në grevë duhet shtjerrë edhe këtë mundësi të fundit.

Cili është qëndrimi i anëtarësisë? A ka gjetur greva përkrahje?

Rrahman Jasharaj: E kemi mbështetjen e anëtarësisë. Ata janë deklaruar përmes nënshkrimeve se e mbështesin çdo angazhim të SBASHK. Edhe me dialog, por edhe kur vjen puna me protesta në përpjekje për të realizuar kërkesat legjitime të anëtarësisë. Këtë gjë ata e kanë dëshmuar me grevën njëorësh që ishte më 12 maj të këtij viti, por edhe me pjesëmarrjen masive në protestë.

Sa keni parashikuar se do të zgjasë kjo grevë?

Rrahman Jasharaj: Jo, edhe këtë ia kemi thënë edhe zëvendësministrit Dukagjin Pupovci. Ne kemi bërë çdo përpjekje që të mos vijmë të greva dhe nëse asgjë nuk do të ndodhë drejt realizimit të kërkesave, pra greva do të fillojë në tërë sistemin arsimor.

Kush do ta mbajë përgjegjësinë për orët e humbura dhe dëmin që u shkaktohet nxënësve?

Rrahman Jasharaj: Nga prilli deri më sot kemi bërë të pamundurën që të bisedojmë për t’i ikur grevës së përgjithshme, protestën e 8 prillit, kemi bërë çmos dhe arritëm në mirëkuptimin e punëtorëve të arsimit. Të vetëdijshëm se nxënësit humbin mësim kemi bërë të pamundurën, por Qeveria nuk e ka bërë as hapin më të vogël që t’i realizojë kërkesat tona.

A ka ndryshuar diçka në kërkesat tuaja?

Rrahman Jasharaj: Kërkesa jonë është që në tërë sektorin e arsimit të ndahen nga 100 euro për shkak të ngritjes së madhe të çmimeve dhe kjo të vlejë deri në momentin kur të bëhet Ligji i Pagave, në marrëveshje me sindikatat dhe të fillojë së implementuari. Më të filluar implementimi i Ligjit të Pagave, ne nuk do ta konsiderojmë se është ligji ynë. Kërkesa jonë është modeste që të ndihmojnë punëtorët e sektorit të arsimit për shkak të rritjes së madhe të çmimeve, sidomos të artikujve elementarë të jetesës.

Ditëve të fundit është ndërmarrë një nismë për lejimin e shamisë në shkolla. A e përkrah SBASHK lejimin e shamisë tek nxënëset?

Rrahman Jasharaj: Kemi dëgjuar debate, por kjo çështje asnjëherë nuk është hapur në takimet e SBASHK-ut. Për shkak se ne nuk e kemi diskutuar asnjëherë, unë nuk mund të kem qëndrim. I mbetet organeve dhe institucioneve të shohin çfarë do të bëjmë. Ne merremi me kërkesa sociale dhe kjo temë nuk është hapur në takimet tona. Nuk kam ndonjë qëndrim, as unë, as SBASHK. Nëse në të ardhmen do të hapet kjo temë, pasi ta analizojmë dhe të kemi qëndrim zyrtar, do ta japin qëndrimin tonë. Përsëritja e kësaj teme na ka gjetur në huti, ngase jemi marrë kryekëput duke u munduar të mos kemi grevë dhe duke u përgatitur për grevën, që të ketë rrjedhë të mbarë dhe të mos ketë ndonjë përplasje mes mësimdhënësve dhe DKA-ve.

A keni ndonjë porosi për kryeministrin Albin Kurti dhe ministren Arbërie Nagavci?

Rrahman Jasharaj: I lus në emër të të gjithë mësimdhënësve të Kosovës, prindërve dhe nxënësve, që t’i shfrytëzojnë këto ditë deri më 25 gusht dhe të ulemi e të bisedojmë, të gjejmë mundësi për realizimin e kërkesave tona, që pastaj të mos flasim për greva, por si ta fillojmë më mirë procesin mësimor. Nëse ata edhe këtë kohë nuk e shfrytëzojnë për t’u ulur dhe vazhdojnë injorimin e kërkesave tona dhe qasjen e gabuar, atëherë le ta dinë se fajtore për humbjen e orëve është Qeveria e Kosovës. /Demokracia.com/