“Xhemail Kada”

Rrahja e nxënësve në Pejë, Policia neglizhoi rastin duke i lënë me orë të presin për një deklaratë

Nëntë nxënës të shkollës “Xhemail Kada” në Pejë, dyshohen se u përfshinë në një rrahje më 13 shtator gjatë pauzës në mes të procesit mësimor.

Prej tyre, dy ishin boshnjakë, të cilët morën lëndime trupore, ndërsa pjesa tjetër shqiptarë, të cilët dyshohet se i sulmuan.

Prindërit thonë se rrahja filloi në një dyqan në afërsi të shkollës dhe vazhdoi edhe në oborrin e shkollës, krejt kjo për para.

Trajtimi i këtij rasti nga Policia dhe Prokuroria, sipas hulumtimit të “Betimit për Drejtësi” lë shumë për të dëshiruar. Çdo veprim i ndërmarrë rezulton të jetë i vonuar dhe i mangët, duke sfiduar zbardhjen e realitetit në lidhje me këtë ngjarje.

“Djali im E.H së bashku me shok prej të tetës klasë, H.S ka shku në drejtim të market “Delta” me ble bukë”, afër Delta’s kanë dalë katër nxënësa të nacionalitetit shqiptarë dhe kanë lypë pare prej nxënësve, prej djalit  edhe shokut të tij. Ka thanë nuk kemi pare, s’mujmë me dhanë pare, viktima ka thanë qashtu. Menjëherë nja prej këtij grupit ka fillu me rreh H*** S., djali jem ka provu me nda dhe masandej ka fillu me e rreh edhe djalin tem”, ka treguar Nadija Agovic, nëna e nxënësit.

Sipas saj, situatën e kishte ndërprerë një qytetar por që nxënësit e kishin rrahur prapë me të dal nga marketi.

“Kur ka dalë prej marketit, menjëherë te Delta market, afër derës, i njëjti grup, edhe ma shumë kanë qenë persona, nja 7 ose 8 nxënës prej të njëjtës shkollë “Xhemail Kada” ka rreh me dorë me kom ma shumë, të dytën herë i kanë sulmu”, ka thënë ajo.

 “Një nga ata kalimtarët i ka ndalur dhe fëmijët tanë kanë vrapuar drejt shkollës, i kanë ndjekur dhe i kanë sulmuar sërish në oborrin e shkollës”, ka shtuat Ahmed Sijaric, babai fëmijës tjetër të rrahur në ketë rast.

Por, përkundër se rrahja përfundoi me lëndime, që dëshmohet përmes raporteve mjekësore, prindërit ankohen për neglizhim në trajtim të rastit nga Policia e Kosovës.

Ata pretendojnë se bashkë më fëmijët qëndruan nga ora 13 deri pas orës 16 në pritje për të dhënë deklaratë.

Kohën e dhënies së deklaratave e dëshmon edhe raporti i Prokurorisë Themelorë në Pejë, në të cilin shkruhet se koha e bashkëbisedimit ka qenë 16 e 50 minuta.

“Kemi pritë në korridor në stacion, prej orës nja deri tre, në këtë kohë fëmija ka shku dy-tre herë në tualet të policisë me qitë ujë të ftohtë në fytyrë, nuk kanë qenë mirë me shëndet, kanë qenë me lëndime trupore”, ka thënë Agovic

“Prej 1-ve deri në 5 kemi qenë në korridor në stacionin e policisë. Tri orë fëmija s’kanë mujtë me ndejtë ulur, mezi kanë arritur të qëndrojnë”, thotë prindi Ahmed Sijaric.