Rrahën një të mitur, arrestohen dy persona në Hanin e Elezit

Policia në Ferizaj ka arrestuar dy persona pasi të njëjtit dyshohet se si shkak i një mosmarrëveshje kishin sulmuar një tjetër person të mitur, e të cilit i kanë shkaktuar lëndime trupore.

Viktima ka marrë tretman mjekësor ndërsa për të dyshuarit janë marrë masat e parapara me ligj.

“Stacioni i policisë në Han të Elezit, mbrëmë rreth orës 21:45 ka pranuar një informacion se në fshatin Gorancë të Hanit të Elezit është një rast i lëndimit trupor. Në lidhje me këtë, policia i ka marr veprimet e nevojshme dhe menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë arrestuar dy persona të dyshuar me inicialet A.L (M/K) i moshës 22 vjeçar dhe A.L ( M/K) i moshës 20 vjeçar , të cilët shkak i një mosmarrëveshje në rrugë, kishin sulmuar personin me inicialet B.B ( M/K) i moshës 16 vjeçar, duke i shkaktuar lëndime trupore dhe për këtë ai kishte pranuar tretman mjekësor. Të dyshuarit janë shoqëruar në stacionin e policisë dhe në rast janë kyçur Njësia e Hetimeve e stacionit të Hanit të Elezit”, thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur se me vendim të prokurorit kujdestar, dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa rasti është cilësuar ‘’Lëndim i lehtë trupor’’.