Rozeta Hajdari i proklamon investime e huaja si të Qeverisë Kurti, e që ndodhën në Qeverinë e Avdullah Hotit!

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, përmes një postimi në Facebook ka folur për sukseset e qeverisë dhe ministrisë që ajo drejton.

Ajo është krenuar për rritjen investimeve të huaja në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, ku sipas saj janë 230 milionë euro.

Hajdari tutje ka bërë edhe krahasimin e investimeve të huaja direkte me vitet e kaluara.

Mirëpo, duket se ministrja nuk e ka bërë llogarinë e suksesit siç duhet te përiudha kohore që nga qeverisja e VV-së.

Kjo, pasi që qeveria Kurti 2 detyrën e ka marrë më 22 mars të këtij viti, pra bëhet fjalë për tre muaj të qeverisjes së Avdullah Hotit, shkruan Ballkani.info.

Nëse matet mirë përiudha kohore, atëherë pjesë e këtij suksesi është edhe qeverisja e kaluar e LDK-së, ku qeveria drejtohej nga Avdullah Hoti.

Megjithatë, Hajdari askund në postim nuk e përmend Qeverinë Hoti, por të gjithë suksesin mundohet ta ndalë për vete.

Postimi i plotë i ministres Hajdari:

SUKSESET NË VIJIM ME QEVERISJEN E MIRË

Të dashur Qytetarë,

Përkrahja dhe vota e juaj e dhënë me besim të plotë me datën 14 Shkurt 2021, e bazuar në premtimin tonë për transparencë, llogaridhënie dhe përgjegjësi, si parime kryesore për qeverisje të mirë, janë duke sjellur rezultate të mira në kthim të besimit për investitorët.

Investimet e huaja direkte në gjashtë (6) muajt e parë të vitit 2021 janë 230.1 milionë euro dhe përbëjnë vlerën më të lartë të investimeve të kryera për gjashtë (6) muaj të një viti, që nga viti 2007.

Nga viti 2010 deri në vitin 2020 mesatarja e investimeve të huaja direkte për gjashtëmujorët e parë të viteve është 121.9 milionë euro, ndërsa në gjashtë (6) muajt e parë të vitit 2021 janë 230.1 milionë euro apo 89% ngritje krahasuar me mesataren e deritanishme. Po ashtu vlenë të ceket se viti 2021 është për 33% me më shumë investime se viti 2020, apo 109% më i lartë se viti 2019.

Burimi: Raportet e Bankës Qendrore të Republikës se Kosovës.

Besimi i rritur në qeverisjen tonë do të sjell edhe më shumë rezultate në vijim gjatë zbatimit të Programit Qeveritar Punë & Drejtësi.