Roma nuk dorëzohet për Xhakën

Skuadra nga Serie A, Roma nuk ka hequr dorë nga transferimi i mesfushorit Granit Xhaka. E përditshmja italiane “Corriere dello Sport” ka shkruar të enjten se drejtuesit e Romës do të bëjnë edhe një ofertë për ta bindur Arsenalin në lirimin e Xhakës në afatin kalimtar të janarit.

Është trajneri i Romës, portugezi Jose Mourinho që po insiston në transferimin e Xhakës në kryeqytetin italian pasi e sheh mesfushorin si përforcim të rëndësishëm. Roma ishte pranë transferimit të Xhakës para fillimit të këtij edicioni, por krerët e Arsenalit refuzuan ofertën e ekipit nga Serie A për ta mbajtur reprezentuesin e Zvicrës.

Xhaka 29-vjeçar, aktualisht është i lënduar dhe pritet të kthehet në fushë në fillim të vitit të ardhshëm. Ai ka kontratë me Arsenalin deri në vitin 2024 kurse këtë sezon ka regjistruar pesë paraqitje në të gjitha garat.