Eurovision 2022

Roma nuk do të organizojë ‘Eurovision 2022’

Roma nuk do të ketë mundësinë të presë festivalin europian të këngës Eurovision për vitin 2022.

Kompeticioni prestigjioz i këngës që u fitua nga grupi Maneskin vitin e kaluar do të mbahet në Itali, por jo në “qytetin e përjetshëm”, siç ishte parashikuar më herët. Motivi është se nuk ka ambientin e duhur për të pritur një ngjarje të tillë dhe për këtë arsye në listë janë 5 qytete të tjera si Milano, Bologna, Pesaro, Rimini dhe Torino.

Sipas disa burimeve për mediat italiane, autoritetet lokale në Romë kishin propozuar Pallatin e Sportit si vendin ku mund të organizohej Eurosong 2022, por teknikët e EBU që merren me organizimin e eventit e kanë refuzuar duke thënë se nuk përmbush disa nga kushtet e nevojshme.

Më pas, bashkia ka propozuar disa vende alternative mes të cilave dhe Cinecitta apo Panairin e ri të Romës, por asnjë prej tyre nuk është konsideruar e përshtatshme.